Rrëmbimi që tronditi veriun: Arrestohet ish-pjesëtari i MUP-it serb i dyshuar për bashkëpunim në kidnapimin e Millan Vukashinoviqit

Një operacion i përbashkët ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka rezultuar sot me arrestimin e një personi të dyshuar për përfshirje direkte në kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Millan Vukashinoviq, rast ky që prej fillimit ka hapur dyshime serioze për ndërhyrje të strukturave të sigurisë së Serbisë brenda territorit të Kosovës, shkruan Mitropol.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili njoftoi se në Leshak është arrestuar V.M., ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i cili pas marrëveshjes së vitit 2013 ishte integruar në Policinë e Kosovës, por më pas kishte dhënë dorëheqje.
Sipas autoriteteve kosovare, ekzistojnë dyshime të bazuara se i arrestuari ka bashkëpunuar në vazhdimësi me strukturat e sigurisë së Serbisë dhe ka ofruar mbështetje logjistike e operative, përfshirë edhe në rastin e kidnapimit të Millan Vukashinoviqit, i cili gjatë rrëmbimit është plagosur rëndë dhe aktualisht ndodhet nën trajtim intensiv në një spital në Serbi.
Dyshime për lidhje me inteligjencën dhe ushtrinë serbe
Sipas informacioneve të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, V.M. dyshohet se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me strukturat e inteligjencës së Serbisë dhe me përfaqësues të ushtrisë serbe. Ai dyshohet gjithashtu se ka përgatitur të rinj serbë për trajnime të ndryshme në bashkëpunim me pjesëtarë të ushtrisë së Serbisë, si dhe së paku ka qenë në dijeni për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë.
Ministri Sveçla ka theksuar se institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë asnjë cenim të rendit kushtetues dhe se askush nuk do të mund t’i ikë drejtësisë.
“Në Kosovë askush nuk do të mund t’i ikë drejtësisë. Institucionet tona profesionale kanë kapacitetet për të adresuar secilin kërcënim dhe për të zbardhur çdo krim. Herët a vonë, para drejtësisë do të dalin edhe personat përgjegjës për këtë rast dhe rastet e tjera, të cilët janë pjesë e institucioneve të sigurisë së Serbisë, përkatësisht strehohen atje dhe shfrytëzohen nga pushteti për qëllime politike dhe të sigurisë”, ka deklaruar Sveçla.
Rasti i Millan Vukashinoviqit – plagosje, rrëmbim dhe heshtje zyrtare nga Serbia
Rasti i Millan Vukashinoviqit ka ngritur alarmin publik që nga fillimi i nëntorit, kur Policia e Kosovës njoftoi se kishte informacione se ai ishte plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria e Serbisë në territorin e Leposaviqit.
Vukashinoviq, nga Leposaviqi, thuhet se punonte në Byronë Kosovare të Sigurimit në pikën kufitare Jarinje dhe kishte qenë i punësuar aty që nga viti 2011. Sipas avokatit serb Ivan Niniq, i cili përfaqëson familjen, Millani ishte plagosur rëndë në një incident të armatosur në fshatin Jellakcë, një zonë pranë kufirit Kosovë–Serbi, e njohur për kalimet alternative jozyrtare.
Niniq ka deklaruar publikisht se në këtë incident dyshohet se kanë marrë pjesë pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë, të veshur me uniforma kamuflazhi pa shenja identifikuese, të maskuar dhe të lëvizur me disa automjete, përfshirë xhipa pa targa. Sipas tij, Vukashinoviq është transportuar fillimisht në spitalin e Prokuples dhe më pas në Qendrën Klinike Universitare në Nish.
Gjendja e tij shëndetësore mbetet jashtëzakonisht e rëndë. Avokati Niniq ka bërë të ditur se Vukashinoviq ka humbur shumë gjak, i është hequr një veshkë, i janë pastruar mushkëritë nga gjaku dhe i është hequr diafragma pulmonare. Ai ndodhet ende në kujdes intensiv, ndërsa familjarët nuk lejohen ta vizitojnë fizikisht.
Dyshime për prapavijë politike dhe presion të vazhdueshëm
Sipas avokatit Niniq, ekzistojnë informacione se Vukashinoviq kishte qenë nën presion të vazhdueshëm dhe kishte pasur konflikte me përfaqësues të Listës Serbe, për shkak se nuk ishte i gatshëm t’u bindej politikave të tyre. Ai gjithashtu ka ngritur dyshime se personi me të cilin Millani ishte planifikuar të takohej në Serbi është pjesëtar aktiv i Ushtrisë së Serbisë, çka sipas tij e forcon dyshimin për një operacion të mirëorganizuar.
Pavarësisht seriozitetit të rastit, autoritetet zyrtare në Serbi nuk kanë dhënë asnjë reagim publik, gjë që, sipas familjes dhe avokatit, ngre dyshime se rasti është tentuar të mbulohet. Familja e Vukashinoviqit ka paralajmëruar padi ndaj institucioneve serbe dhe kërkim të përgjegjësisë individuale për këtë incident.
Institucionet e Kosovës në ofensivë kundër strukturave ilegale
Arrestimi i V.M. shihet si një hap i rëndësishëm në zbardhjen e një rasti që ka ekspozuar, edhe një herë, veprimtarinë e strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë në veri të Kosovës. Institucionet e Kosovës kanë ritheksuar se hetimet po vazhdojnë dhe se nuk do të ketë kompromis me askënd që cenon sigurinë, sovranitetin dhe rendin kushtetues të vendit.
Rasti i Millan Vukashinoviqit mbetet një nga episodet më të rënda të sigurisë në muajt e fundit dhe pritet që zhvillimet e ardhshme hetimore të hedhin më shumë dritë mbi përmasat reale të këtij operacioni./Mitropol/








