
I dërguari i Francës për dialogun Emmanuel Bonne dhe ai i Gjermanisë Jens Plottner, pritet të vizitojnë Beogradin në mënyrë që të shpejtojnë procesin.
Kjo vizitë do të bëhet bashkë me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun, Mirosllav Llajçakun dhe të dërguarin special të ShBA-ve, z. Gabriel Escobar, ka raportuar Novosti.
Duke iu referuar burimeve, kjo gazetë thekson që qëllimi i kësaj vizite është që të bindet lidershipi serb për të filluar negociatat politike me Prishtinën, bazuar në propozimin franko-gjerman.
Ky propozim i ishte dorëzuar së pari Albin Kurtit qysh më 9 shtator, pikërisht nga ana e dy këshilltarëve të lartpërmendur, Plotner dhe Bonne. Por, besohet që edhe kryeministri Kurti e edhe presidenti serb Vuçiq kanë marrë të paktën edhe nga një version tjetër të këtij propozimi ku përfshihen edhe afate kohore për arritjen e hapave të caktuar që çojnë drejt nënshkrimit të marrëveshjes bazë.
Në ndërkohë, edhe Beogradi por edhe Prishtina kanë shprehur vërejtjet e tyre në lidhje me këtë dokument. Kryeministri Kurti fillimisht kishte përdorur fjalën ‘vërejtje’ për ta ndërruar më pas në fjalën ‘mangësi’ duke përshkruar pakënaqësitë që kishte. Por, kryeministri ka thënë se ky dokument ishte “hap në rrugën e duhur,”
Sipas Novostit, përveç katërshes së lartpërmendur në Beograd do të mbërrijë edhe një i dërguar tjetër që ka “udhëhequr presionin ndaj Serbisë”. Bëhet fjalë për Stuart Peachin.
Dejan Milletiqi nga Qendra për Studime të Globalizimit është shprehur se pret “presion shumëdimensional, por edhe oferta të ndryshme nga ShBA-ja dhe BE-ja”.
Sipas tij, viti 2023 është ndoshta “shansi i fundit për projektin e një Kosove të pavarur” duke përmendur zgjedhjet në ardhje në ShBA dhe në BE më 2024.
Nuk dihet deri tash nëse Plotner e Bonne së bashku me diplomatët tjerë do të vijnë edhe në Kosovë por dihet që po komentohet me të madhe një deklaratë e ambasadorit amerikan Jeff Hovenier në lidhje me njohjen e Kosovës nga Serbia dhe pamundësinë që ajo të ndodhte. Për ardhjen në këtë situatë, po fajësohet Qeveria Kurti.
Kush janë Emmanueli dhe Jensi? Bonne
Emmanuel Bonne është një diplomat karriere 52 vjeçar. Ai punon si këshilltar diplomatik i Presidentit Emmanuel Macron prej vitit 2019.
Përgjatë kësaj kohe sa punon me presidentin Macron, atij i janë besuar detyra shumë të rëndësishme.
Bonne ishte marrë me organizimin e samitit të 45-të të samitit të G7-s. Po ashtu, ai ishte marrë me negociatat pas burgosjes së Fariba Adelkhahit dhe Roland Marchalit në Iran. Po ashtu, edhe me temën e nxehtë të Nord Stream 2.
E rëndësishme kishte qenë edhe puna e tij mbi paktin AUKUS, një pakt trilateral i sigurisë mes Australisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amrikës. Franca e kishte protestuar ashpër një gjë të tillë.
Bonne ka qenë edhe ambasador në Liban, derisa në karrierën si politolog ka specializuar në çështjet e Lindjes së Mesme.
Jens Ploetner në anën tjetër ka një karrierë edhe më gjatë. Ai është një diplomat që ka qenë këshilltar i punëve të jashtme dhe punëve të sigurisë të kancelarit Olaf Scholz prej dhjetorit të vitit të kaluar.
Në shërbim të jashtëm, 55 vjeçari ka hyrë prej vitit 1994. Ai ka qenë ambasador i Gjermanisë në Sri Lankë e Tunizi.
Sidoqoftë, Ploetner kishte qenë edhe në shënjestër të kritikave.
Ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Andriy Melnyk, pas agresionit rus në vendin e tij e kishte akuzuar Gjermaninë se vazhdonte të kisthe shumë interesa nga Rusia, siç ishte varësia nga gazi, dhe e përmendi emrin e Ploetnerit bashkë me atë të Andreas Michaelis.
“Steinmeier ka krijuar një rrjet merimangë kontaktesh me Rusinë për dekada. Në këtë janë përfshirë shumë njerëz që tani janë në krye të koalicionit,” – kishte theksuar ambasadori ukrainas, duke përmendur edhe Jens Ploetnerin./Nacionale/








