Medi
LAJMESPORT

Sam Bartram, portieri që mbeti i vetëm në mjegull: Loja u ndërpre dhe ai nuk e mori vesh për 15 minuta

Më 25 dhjetor të vitit 1937, ndodhi një nga ngjarjet më të pazakonta dhe më të kujtuara në historinë e futbollit. Në Krishtlindjet e atij viti, gjatë ‘Boxing Day’ në Ligën Angleze (kur nuk ishte ende Liga Premier) Charlton dhe Chelsea u përballën me njëri-tjetrin në një duel ku luajti Samuel Bartram, portieri që mbeti i vetëm në mes të mjegullës dhe nuk e kuptoi kurrë që loja mbaroi.

Sam Bartram është një nga të paktët lojtarët në histori të futbollit që kanë luajtur vetëm për një klub gjatë gjithë karrierës.

Medi
Ai bëri debutimin e tij në Charlton dhe u tërhoq në të njëjtin ekip 22 vjet më vonë me më shumë se 600 ndeshje të luajtura.

Edhe pse është një legjendë, madje ka një statujë në ambientet e klubit, portieri mbahet mend për një ndeshje të pabesueshme kundër Chelseat në Stamford Bridge.

Dueli, që do të luhej në Krishtlindje të vitit 1937, rrezikonte të ndërpritej nga mjegulla e fortë. Gjyqtari e ndalonte lojën herë pas here për shkak të problemeve me dukshmërinë derisa vendosi ta ndërpriste atë përgjithmonë.

Protagonistët dhe publiku u larguan ngadalë nga shkallët e stadiumit dhe tribunat u zbrazen plotësisht.

Të gjithë u larguan përveç njërit, përcjell Telegrafi.

Sam Bartram nuk e mori vesh kurrë vendimin e gjyqtarit dhe qëndroi në portë, mes dy shtyllave derisa erdhi një roje dhe e largoi atë nga fusha 15 minuta më vonë.

Vite më vonë, në autobiografinë e tij, Sam Bartram dha detaje të natës së pazakontë në të cilën mbeti i vetëm në ndeshjen kundër Chelseat.

“Unë shihja gjithnjë e më pak lojtarë. Isha i sigurt se po dominonim lojën, por më dukej e qartë se nuk kishim shënuar gol, sepse shokët e skuadrës do të ishin kthyer në pozicionet e tyre mbrojtëse dhe unë do të kisha parë një prej tyre. Nuk u dëgjuan as britma festimi”, nisi rrëfimi i tij.

Ai kaloi rreth një çerek ore në fushë dhe një roje, i cili u habit kur e pa atë ende në një pozicion të tillë dhe në portë, e nxori atë jashtë nga fusha.

“Pesëmbëdhjetë minuta më parë ndeshja u ndërpre. Stadiumi është krejtësisht bosh!”, shpjegoi fillimisht Bartram fjalët e rojës së stadiumit.

Me të mbërritur në dhomën e zhveshjes, shokët e tij të skuadrës u befasuan kur e panë atë duke u vonuar dhe talleshin kur mësuan historinë.

“Tashmë isha i habitur që ishim kaq dominues”, u tha portieri duke qeshur.

Sam Bartram bëri debutimin e tij në moshën 20 vjeçare me fanellën e Charlton dhe luajti 623 ndeshje në 22 vjet.

Ai doli në pension në moshën 42-vjeçare duke qenë lojtari me më shumë ndeshje të luajtura në klub dhe ishte gjithashtu pjesë e skuadrës që fitoi trofeun e vetëm në historinë e tyre: FA Cup 1947.

Për momentin ndodhet një statujë e Bartram në ambientet e stadiumit të klubit anglez.

 

Weelnes