Sekuestrimi i armatimit në afërsi të Manastirit të Banjskës, rastin në Polici e denoncoi prifti

Policia e Kosovës i ka gjetur të mërkurën pesë raketahedhës (zolla) në afërsi të Manastirit të Banjskës në Zveçan, e të cilat dyshohet se ndërlidhen me sulmin terrorist ndaj Policisë, më 24 shtator të vitit të kaluar.
Lajmin e ka konfirmuar Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë në veri.
“Në afërsi të Manastirit të Banjskës në Zveçan janë gjetur pesë zolla. Mjetet ushtarake dyshohet se i përkasin ngjarjeve të shtatorit të vitit të kaluar”, tha Elshani.
Sipas informacioneve të para, rasti është raportuar në Polici nga Prifti i kishës në Banjskë.
Ndryshe, një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar në fshatin Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës, ku u vra një rreshter policor.
Më pas sulmuesit u strehuan në manastirin e këtij fshati, prej ku vazhduan përleshjet me policinë. Gjatë përleshjeve u vranë tre sulmues.
Policia i kishte sekuestruar gjithashtu edhe 29 raketahedhës të mbushur dhe 7 të përdorur pak ditë pas sulmit.






