Aurora Group
02LAJME

Serbi që iku nga burgu sot kishte vrarë një tjetër serb dhe kishte plagosur rëndë vëllain e tij

 

Një i burgosur me kombësi serbe është arratisur nga burgu në Mitrovicën e Veriut, rast ky që është raportuar ekskluzivisht nga Mitropol.

Weelnes

Këtë e ka konfirmuar për Mitropol zëvendëskomandanti i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Sipas tij, Policia e Kosovës është vënë menjëherë në ndjekje të të arratisurit, ndërsa njësitet policore janë shpërndarë në të gjithë zonën veriore për ta lokalizuar dhe arrestuar atë sa më parë.

“Qytetarët nuk duhet të jenë të shqetësuar, po bëhen kontrolle në gjithë Veriun. Ne e dimë kush është ai person, kemi fotografinë e tij dhe po e kërkojmë në bazë të saj. Prandaj janë shtuar patrullimet dhe nuk ka vend për panik”, tha Elshani për Mitropol.

I arratisuri, siç ka raportuar Mitropol, është një i dënuar për veprën penale të vrasjes, i dënuar me 14 vite burgim. Elshani bëri të ditur se identiteti i tij është i njohur për policinë dhe se po kërkohet në bazë të fotografisë.

Bëhet fjalë për Đorđe Radomirović, 34 vjeç, nga Novi Pazari, me gjatësi 1.80 metra. Ai ishte dënuar në vitin 2014 pasi kishte vrarë një person tjetër me kombësi serbe, me inicialet M.V. nga fshati Leshak, si dhe më pas e kishte plagosur rëndë vëllain e tij. Rasti kishte tronditur opinionin publik në atë kohë për brutalitetin e ngjarjes.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë zyrtare në të cilën bën të ditur se janë ngritur pika statike të kontrollit në tërë veriun e vendit dhe janë angazhuar edhe njësitë e specializuara me qen (Njësitet K9) për lokalizimin e Radomirović.

“Lusim qytetarët që të kenë mirëkuptim derisa jemi në operacion dhe po ashtu, në rast se hasin në këtë person, të thërrasin në numrin 192 ose të lajmërojnë në stacionin më të afërt.”, thuhet në komunikatën e policisë.

Mitropol do të vazhdojë të raportojë nga afër për zhvillimet e këtij rasti.

Weelnes