
Zyrtarët e pushtetit, kanë pushuar me deklarime për hapjen e Urës së Ibrit. Një ndër më të zëshmit, deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, i është kthyer temave të tjera, ngjashëm edhe disa eksponentë të tjerë të partisë në pushtet. E kjo “heshtje” duket se vjen pas vizitës së shefit të CIA-së në Kosovë, Willaim Burns.
Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka thënë se po vërehet një pauzë e urrejtjes dhe arrogancës nga pushteti i Vetëvendosjes.
Ramadani këtë e ka ndërlidhur me vizitën e shefit të CIA-së, William Burns, duke thënë se mbetet të shihet nëse është një pauzë momentale apo “kanë ‘mësuar’ çka nuk guxojnë të bëjnë më!”
“Pauza e urrejtjes dhe arrogancës nga pushteti. Nga e premtja vërehet një mungesë e përhapjes publike së urrejtes dhe manifestimit të arrogancës nga pushteti. Mbetet të shihet nëse kjo është vetëm një pauzë momentale apo kanë ‘mësuar’ çka nuk guxojnë të bëjnë më!” – ka shkruar ai në Facebook.
Më tej, ai ka thënë se gjuha helmues e pushteti ndaj SHBA-së, NATO-s, KFOR, BE e të tjerëv ka dëmtuar shëndetin e vendit.
“Gjuha helmuese e eksponentëve të pushtetit ndaj faktorit ndërkombëtar, SHBA-ve, NATO-s, KFOR-it, BE-së, opozitës, shoqërisë civile, mediave, bizneseve, sindikatave etj., ka dëmtuar seriozisht shëndetin e shtetit tonë! Dëmi u bë.”
“‘Serumi’ i të premtes e ndaloi momentalisht gjuhën helmuese, por rikuperimi merr kohë.” – ka thënë ai.
Ndërkaq, ai ka pasur edhe një pyetje.
“Pyetja themelore që mbetet: A dinë këta të propagandojnë pa përhapje të urrejtjes dhe manifestim të arrogancës apo thjesht janë çarmatosur?” – ka pyetur ai.
Ndërkohë, ambasadorit gjerman Jorn Rohde ka thënë ditë më parë se aktualisht “nuk bëhet fjalë” për hapjen e Urës së Ibrit.
“Për momentin nuk bëhet fjalë për hapje. Këtë ia kemi komunikuar qeverisë”, u shpreh Jorn Rohde, i cili një ditë më parë edhe u prit në takim nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës, natyrisht, ne kemi të njëjtat qëllime si ato të qeverisë, që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen. Dhe, ka edhe një vendim nga këto marrëveshje që duhet zbatuar, është marrëveshja e arritur për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Por, koha nuk është tani, e dini, ka rrezik për tensione atje.” – ka thënë ai.
Rohde ka kërkuar konsultime mes Qeverisë së Kosovës dhe hisedarëve të sigurisë, KFOR-it dhe atyre politik, QUINT-it.
“Tani duhet të ketë një proces, duhet të ketë konsultime, por për momentin nuk bëhet fjalë për hapje. Këtë ia kemi komunikuar qeverisë. Për mua është e qartë se ura duhet të hapet por kemi nevojë për dialog mes qeverisë me Perëndimin” – ka thënë ai.
Ndërsa, ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Charles Kupchan, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që t’i dëgjojë aleatët për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.
Kujtojmë se kryeministri Kurti kishte thënë se Ura e Ibrit duhet të hapet.
Qeveria e ka testuar qëndrueshmërinë dhe ka kryer disa përgatitje para se të hapet, mirëpo asnjëherë nuk kanë dhënë datë të saktë se kur mund të hapet ura.
Në anën tjëtër, ndërkombëtarët kanë kërkuar që hapja e urës të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, gjë që është kundërshtuar nga institucionet kosovare./Nacionale/