Shala: Vizita e Sveçlës e Haxhiut te vila e Radoiçiqit nuk ishte e nevojshme, s’duhet të politizohet

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala ka thënë se vizita e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu tek vila e Radoiçiqit e cila u sekuestrua sot nga policia e Kosovës nuk ishte e nevojshme.
Shala në emisionin “FIVE” ka thënë se kjo çështje nuk duhet të politizohet pasi puna e madhe është kryer nga prokuroria e gjykata dhe se Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës nuk do mund të afrohej atje pa vendimin e gjykatës.
“Nuk ka pasë nevojë Haxhiu të shkojë atje, prokuroria e gjykata e kanë kryer punën, agjencia nuk do ishte afruar atje pa vendimin e gjykatës, mirë që kanë shkuar, por nuk duhet të politizohet kjo cështje”, ka deklaruar Shala.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, këtë të premte ka shkuar në vilën e Milan Radojçiqit, tashmë të sekuestruar nga Policia e Kosovës.
Po ashtu, pas mbërritjes së Sveçles atje, atij i është bashkuar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë për mediat se Policia tashmë ka vendosur kamera sigurie dhe është e pranishme në këtë vilë.
Sot, në një aksion në veriun e Kosovës, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara konfiskoi dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut dhe një në komunën e Zubin Potokut, të cilat janë të lidhura me sulmin e një grupi të armatosur serbësh në Banjskë.
Në këtë aksion asistente ishte policia e Kosovës.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se ka pasur një urdhër gjykate për konfiskimin e tri pronave, vilës së Millan Radoiçiqit, restorantit Grey dhe një banese në katin e gjashtë mbi restorantin Grey.
Këto tri prona të paluajtshme ishin sekuestruar fillimisht nga Prokuroria e Kosovës në shtatorin e vitit të kaluar.
Vila e Radoiçiqit gjendet buzë liqenit të Ujmanit në komunën e Zubin Potokut në veri të Kosovës, ndërsa restoranti dhe banesa gjenden në Mitrovicë të Veriut – dy komuna të banuara me shumicë serbe.







