
Klubi Futbollistik Trepça’89 ka prezantuar përforcimin më të ri në repartin e mesfushës, Shefki Alitin, djaloshin e ri nga Bujanoci.
Mesfushori i njohur në futbollin kosovar është zyrtarizuar sot si pjesë e “Minatorëve”, duke u bërë një nga emrat kryesorë në ndërtimin e skuadrës për sezonin 2025/26.
Me një përvojë të konsoliduar në disa skuadra të respektuara të vendit, Aliti njihet për disiplinën taktike, vizionin në fushë dhe saktësinë në pasime – cilësi këto që pritet të sjellin freski dhe thellësi në mesin e fushës së skuadrës mitrovicase.
“Jam i lumtur që i bashkohem një klubi me emër si Trepça’89. Është nder për mua të jem pjesë e këtij projekti dhe do të jap maksimumin për të ndihmuar ekipin drejt objektivave”, u shpreh mesfushori pas zyrtarizimit të marrëveshjes.
Aliti tashmë ka nisur stërvitjet me ekipin në përgatitjet për sezonin e ri, teksa drejtuesit e klubit shprehen optimistë se ky transferim do të ndikojë pozitivisht në konsolidimin e lojës dhe konkurrencën e brendshme.
Me ardhjen e Shefki Alitit, Trepça’89 dërgon një sinjal të qartë: sezoni i ri do të jetë ai i ambicieve të mëdha./Mitropol/








