
Sot është mbajtur manifestimi për shënimin e 25 vjetorit të paraqitjes së njësitit të parë të UÇK-së, për rajonin e Shalës.
Ky organizim u bë nga Komuna e Mitrovicës, respektivisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në bashkëpunim me organizatën e veteranëve të luftës së UÇK-së, shkruan ‘Mitropol’.
Në këtë organizim, pjesëmarrës ishin drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës, Valdete Idrizi, kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së në Mitrovicë, Rafet Ibishi, një nga themeluesit e parë të njësitit të UÇK-së në zonën e Shalës, Nexhat Dedia si dhe shumë banorë të fshatit Zabërxhë.
Për shënimin e këtij përvjetori, përveç mbajtjes së disa fjalimeve, që u përcollën në fotografitë e Amir Kelmendit, u kënduan edhe këngë nga këngëtarja e mirënjohur mitrovicase Ganimete Asllani, si dhe u recituan poezi e u luajtën valle nga të rinjtë.
Ky manifestim u mbajt në Zabërxhë, pikërisht në fshatin ku më 18 prill 1998 u themelua njësiti i parë i UÇK-së për regjionin e Shalës./Mitropol








