Shifra alarmante: Mbi 50 mijë qen endacakë në Kosovë – publikohet hulumtimi i parë kombëtar në Evropë

Kosova më në fund ka marrë pasqyrën e parë të vërtetë mbi problemin e qenve endacakë – dhe shifrat janë tronditëse. Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve dhe organizata ndërkombëtare FOUR PAWS kanë publikuar anketimin e parë kombëtar ndonjëherë për popullsinë e qenve në rrugë, një studim historik që mbulon të gjitha 38 komunat e vendit. Ky është hulumtimi i parë i këtij lloji në gjithë Evropën dhe vetëm i treti në botë.
Sipas raportit, në rrugët e Kosovës llogariten 50,654 qen endacakë, ndërsa dendësia mesatare arrin në 32 qen për 1,000 banorë. Edhe më shqetësuese është shkalla tejet e ulët e sterilizimit – vetëm 11%, një tregues se institucionet duhet urgjentisht të krijojnë politika më të qarta dhe më humane për menaxhimin e situatës.
Ky anketim vendos për herë të parë një standard të bazuar në të dhëna, duke u dhënë komunave të Kosovës mjetet e nevojshme për të marrë vendime serioze dhe afatgjata. Studimi u financua dhe dizajnua nga FOUR PAWS, ndërsa u implementua në terren nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve.








