“Shkatërro mbeturinat, JO natyrën”, studentët e gazetarisë bëjnë thirrje për mbrojtjen e ambientit
Sot, në shënimin e Ditës Evropiane të Parqeve, si dhe Ditës së Pastrimit të Kosovës, studentët e Departamentit të Gazetarisë në UP, kanë bërë thirrje për mbrojtjen e mjedisit. “Shkatërro mbeturinat, JO natyrën”, është mesazhi i këtyre studentëve, të cilët tash e tri javë kanë lansuar fushatën “NDRYSHO! për Kosovën”.
“NDRYSHO! për Kosovën” është fushatë e cila po realizohet nga studentët nga gazetarisë së nivelit master në Universitetin e Prishtinës. Fushata është duke u realizuar në kuadër të lëndës “Teori dhe praktikë e Marrëdhënieve me Publikun” nën mentorimin e profesorit Arben Fetoshi dhe asistentes, Teuta Berisha.
Asistentja e lëndës, Teuta Berisha tha se audienca e targetuar e kësaj fushate është e gjithë popullata e Republikës së Kosovës, dhe se kjo fushatë po bëhet me qëllim të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit duke i ndryshuar sjelljet në raport me mirëmbajtjen dhe ruajtjen e hapësirës publike.
“Përtej kësaj, përmes kësaj fushate synojmë të nxisim edhe ndjenjën e përgjegjësisë për të raportuar tjetrin për veprimet e paligjshme që dëmtojnë tokën, ujin, ajrin, dhe në një periudhë afatgjatë kanë pasoja fatale për vetë neve si banorë. Pra, mbrojtja e mjedisit nuk duhet të perceptohet vetëm si obligim individual ose frikë nga gjobitja, por edhe si akt patriotik për një Kosovë më të pastër dhe më të jetueshme.”, u shpreh tutje Berisha.
Fushata është lansuar në tri media sociale: Facebook, Instagram dhe Tik-tok, teksa arsyen pse janë përzgjedhur këto tri media sociale, e tregoi studentja e cila është pjesë e fushatës, Florida Morina.
“Janë përzgjedhur këto tri media për t’i përfshirë të tri audiencat: të rriturit, fëmijët po edhe të moshuarit”, tha Morina.
Studentët pjesëmarrës të fushatës NDRYSHO! për Kosovën, mesazhet tematike janë duke i transmetuar në disa forma përfshirë video, fotografi, tekst dhe pod-cast./Mitropol/