Përplasja për Presidentin, Abdixhiku iu drejtohet deputetëve të LDK-së: “Për çfarë po rrahin gjoks?”

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është kundërpërgjigjur mëngjesin e sotëm përplasjes së krijuar brenda partisë rreth kandidaturës së Bekim Sejdiut për president të Kosovës, duke insistuar se dje nuk është refuzuar ndonjë marrëveshje për qeverisje me Vetëvendosjen, por është refuzuar zgjidhja për presidentin, njofton Mitropol.
Reagimi i Abdixhikut vjen një ditë pasi gjashtë deputetë të LDK-së, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri deklaruan se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun, pavarësisht se Kryesia e LDK-së e kishte miratuar unanimisht kandidaturën e tij.
Abdixhiku, në postimin e tij të sotëm, ka mohuar se LDK-ja ka refuzuar ndonjë marrëveshje për përfshirje në qeverisje me LVV-në.
“Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në OPOZITË. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këtë pozicion”, ka shkruar ai.
Sipas Abdixhikut, ajo që u refuzua ishte kandidatura për president e dakorduar mes LDK-së dhe LVV-së.
“Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja”, ka deklaruar ai.
Përplasja brenda LDK-së shpërtheu të martën, pasi pas marrëveshjes së arritur mes Abdixhikut dhe Albin Kurtit për kandidaturën e Bekim Sejdiut, gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër. Abdixhiku më pas deklaroi se ky qëndrim rrezikon ta çojë Kosovën në zgjedhje të reja.
Kreu i LDK-së ka vazhduar sot me akuza të drejtpërdrejta ndaj kundërshtarëve të tij brenda partisë, duke i akuzuar se po e dëmtojnë LDK-në dhe se po ndikohen nga grupe të tjera politike.
“Por siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se nuk e kupton se si, sipas tij, kundërshtarët e tij brenda partisë mund të ndihen të përmbushur nga mbështetja që po marrin prej personave që ai i konsideron “anti-LDK”.
Në vazhdim, Abdixhiku ka mohuar se zgjedhjet e reja kanë qenë synim i LDK-së.
“Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë”, ka shkruar ai, duke pretenduar se zgjedhjet kanë qenë prej muajsh agjendë e “grupeve të tjera politike”.
Ndërkohë, zhvillimet e djeshme kanë vënë në pikëpyetje marrëveshjen LDK–LVV për Sejdiun. Vetë Albin Kurti ka deklaruar se marrëveshja me LDK-në mbetet në fuqi, por pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve ka paralajmëruar nevojën për takime të reja me Abdixhikun dhe strukturat e Vetëvendosjes.
Për zgjedhjen e presidentit, LDK-ja dhe LVV-ja nuk i kanë të mjaftueshme votat vetëm me deputetët e tyre për dy rundet e para, ndërsa pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së, mbështetja e nevojshme bëhet edhe më e vështirë. Në dy rundet e para kërkohen 80 vota, ndërsa në rundin e tretë nevojiten 61.
Në fund të reagimit, Abdixhiku ka lënë të kuptohet se, pavarësisht krizës së krijuar brenda partisë, nuk ka ndërmend të tërhiqet.
“Për këtë ndiej vetëm keqardhje! Por jo dorëzim. Je shumë. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithate do të triumfojë!”, ka përfunduar ai.
Postimi:
Mirëmëngjesi, Kosovë!
Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në OPOZITË. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këte pozicion.
Prandaj, për çfarë po rrahin gjoks?
Çfarë paskan shpëtuar?
Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja.
Dëm mund të bëjë çdo kush.
Për këtë, ja dora!
Por siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së. Se si nuk e shihni këtë, se si nuk ndjeni këtë fat, se si ndiheni të përmbushur nga lëvdatat e atyre që gjithë jetën janë anti-LDK, këtë nuk e kuptoj!
Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë. Por tash e sa muaj, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses.
Për këtë ndiej vetëm keqardhje!
Por jo dorëzim. Jemi shumë. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithate do të triumfojë!








