Avokati i Popullit: Gjykata Speciale e mbyllur, nuk kishte transparencë dhe llogaridhënie

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ngre shqetësime të shumta sa i përket respektimit të standardeve të të drejtave të njeriut.
Qelaj ka treguar se gjatë një takimi me kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, i ka ngritur shqetësimet për transparencën, llogaridhënien dhe standardet e një gjykimi të drejtë e të paanshëm.
“Ka mungesë transparence, ka mungesë llogaridhënie. Nuk dihet nëse juridiksioni i kësaj gjykate është në përputhje me vetë standardet që Kosova ka ndërtuar për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, ka deklaruar Qelaj në RTK Prime.
Sipas tij, shqetësime ka pasur edhe lidhur me kufizimin e vizitave, bisedave dhe përgjimeve telefonike të të paraburgosurve.
Qelaj ka thënë se Trendafilova gjatë takimit ka kundërshtuar këto shqetësime, duke argumentuar se gjykata i plotëson standardet ndërkombëtare dhe është transparente.
Megjithatë, Avokati i Popullit ka thënë se nuk ka marrë, sipas tij, arsyetim të mjaftueshëm për ta bindur se standardet e të drejtave të njeriut po respektohen.
Ai ka treguar se më pas ka vizituar të paraburgosurit në Hagë dhe është takuar me mbrojtjen, ndërsa ka kërkuar takime edhe me përfaqësues të gjykatës dhe Avokatin e Popullit atje.
“Kam parë një hezitim, kam parë një mbyllje të atij institucioni”, ka thënë Qelaj.
Pas kthimit në Kosovë, ai ka bërë me dije se me letër i është drejtuar Trendafilovës, duke kërkuar ndërmarrjen e masave për shqetësimet e ngritura.
“Nëse ju nuk ndërmerrni masa, atëherë unë detyrohem të veproj me krejt mundësitë që më lejon ligji, Kushtetuta dhe kapacitetet që kam”, ka deklaruar Qelaj.
Ai ka treguar se në vazhdën e këtij angazhimi është përfshirë edhe Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Uellsit dhe Anglisë, i cili ka përpiluar një raport pas kërkesës së tij.








