Premium Store
02KOSOVËLAJME

Begu u bën thirrje bizneseve të Mitrovicës: “Ndërpriteni urgjentisht furnizimin nga ‘Apetit’”

Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Mitrovicës, Armend Begu, u ka bërë thirrje qebaptoreve, gjelltoreve, marketeve dhe restoranteve në Mitrovicë që furnizohen nga kompania “Apetit” që ta ndërpresin urgjentisht bashkëpunimin me këtë furnitor, pas rasteve të fundit të bllokimit të ngarkesave me mish të skaduar në Mal të Zi, njofton Mitropol.

Përmes një postimi, personi që njihet si krahu i djathtë në Mitrovicë i ministrit të Bujqësisë, Armend Mujës, Armend Begu ka pretenduar se bizneset që vazhdojnë të furnizohen nga kjo kompani mund të rrezikojnë aktivitetin e tyre, duke kërkuar që të ndalet furnizimi deri në sqarimin e plotë të rastit nga institucionet kompetente.

Medi

“Qebaptoret, gjelltoret, marketet dhe restorantet e Mitrovicës, urgjentisht duhet ta ndërprejnë bashkëpunimin me kompaninë kriminale, që u zu në flagrancë në Mal të Zi me mish të skaduar!”, ka shkruar Begu.

Ai ka kërkuar njëkohësisht nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë që të ndërmarrë masa dhe të hetojë mënyrën e importimit dhe shpërndarjes së mishit nga kjo kompani.

Thirrja e tij vjen pas njoftimeve të autoriteteve malazeze për ndalimin e ngarkesave me mish viçi të ngrirë nga Brazili, të destinuara për kompaninë “Apetit”.

Në dy raste të njoftuara gjatë shtatorit, autoritetet malazeze kanë raportuar për rreth 102.5 tonë mish të ndaluar në Portin e Tivarit, për shkak të afatit të skaduar të përdorimit dhe parregullsive të pretenduara me dokumentacionin.

Ndërkohë, AUV në Kosovë ka bërë të ditur se ka rritur nivelin e kontrollit ndaj operatorit ekonomik “Apetit”, duke përfshirë verifikimin e dokumentacionit të importit, origjinës, afateve të përdorimit, sasive të importuara e të shpërndara dhe destinacionit të produkteve.

Kompania “Apetit” ka mohuar që mishi i ndaluar në Mal të Zi të ketë hyrë në tregun e Kosovës, duke deklaruar se ngarkesat nuk janë importuar, zhdoganuar apo vendosur në treg në Kosovë.

Ndërsa kontrollet institucionale vazhdojnë, Begu ka kërkuar që autoritetet të sqarojnë nëse ka pasur raste të tjera të importimit apo shpërndarjes së produkteve me afat të skaduar në Kosovë./Mitropol/

Active 1