Dukato 2
KOSOVËLAJME

Privoi nga jeta një person, Arbër Havolli dënohet me 20 vjet burgim

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënim unik prej 20 vjet burgim Arbër Havollin për vrasjen e 6 shtatorit 2025 në Llapashticë të Epërme në Podujevë.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues Alban Ajvazi dhe anëtarët Adnan Kamberi dhe Gëzim Ademi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Active

Për veprën penale “Vrasje” i akuzuari u dënua me 19 vjet burgim. Kurse, për armëmbajtje pa leje u dënua me 2 vjet burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik me 20 vjet burgim.

Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

I akuzuari obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale dhe atë 150 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pas pranimit të aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 23 prill 2026, Arbër Havolli akuzohej se më 6 shtator 2025 rreth orës 19:30 në rrugën “Hysen Havolli” në fshatin Llapashticë e Epërme, Komuna e Podujevës, me dashje që të privojë nga jeta tani të ndjerin B.S., derisa viktima ishte në veturën e tij skaj të rrugës, saktësisht përballë marketit “Havolli”, i pandehuri fillimisht afrohet dhe bisedon, më pas shtie 9 herë me armë në drejtim të tani ndjerit, me ç’rast të njëjtin e privon nga jeta.

Active