Kurti në Paris diskuton për gjeopolitikë dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave me institutin francez

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me Institutin Jacques Delors, një institut me qendër në Paris, i themeluar nga një prej arkitektëve më të mëdhenj të Bashkimit Evropian.
“Në takim u diskutua për gjeopolitikën dhe ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor,” ka shkruar Kurti në “X” të martën.
Ai ka theksuar se ka shfrytëzuar rastin për të nxjerrë në pah nevojën për një qasje vendimtare dhe të bazuar në meritë në procesin e zgjerimit të BE-së, si një çelës për sigurinë evropiane përballë rreziqeve aktuale gjeopolitike.
Sipas Kurtit, gjatë takimit u diskutuan gjithashtu investimet e Kosovës në mbrojtje, mbrojtja kushtetuese dhe praktike e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, si dhe lidhja e pandashme midis axhendave ekonomike dhe parimeve demokratike.








