
Ramush Haradinaj ishte sulmuesi kryesor të dielën e 26 tetorit, kur Albin Kurti tentoi të krijojë Qeverinë. Haradinaj e dha votën kundër, por edhe në fjalim, për dallim nga dy opozitarët tjerë, Memli Krasniqi i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së, ishte më goditësi.
Duke iu referuar fjalimit të Kurtit, që foli për pengesa nga armiqtë e jashtëm të Kosovës – Rusia e Serbia – përmes luftës hibride, Haradinaj e ka quajtur Kurtin “produkt të luftës hibride të armiqve tanë”.
Edhe Vetëvendosje e kishte akuzuar shpesh e rëndë Haradinajn, madje për lidhje të forta me Listën Serbe.
Por, në terren, në betejën për pushtet lokal, kjo breshëri akuzash pushon.
AAK dhe Vetëvendosje duket se kanë gatishmëri të lartë për bashkëpunim. Vetëm të martën, këto dy parti shtrënguan duart në dy komuna.
AAK do ta përkrahë VV-në në Prizren, kurse VV-ja do ta përkrahë AAK-në në Junik.
Lajmin se AAK do ta mbështesë VV-në në Prizren e bëri të ditur kandidati i kësaj partie për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashi, i cili në balotazh do të përballet me Shaqir Totajn e PDK-së.

Se është bërë marrëveshje në Junik, u bë e ditur nga kandidati i AAK-së për kryetar të kësaj komune, Agron Kuçi, i cili do të përballet në balotazh me Ruzhdi Shehun e LDK-së. Ai madje publikoi një fotografi me kandidatin e VV-së për kryetar të Junikut në zgjedhjet e 12 tetorit, Jetmir Tofaj, dhe deputetin e VV-së, Nezir Kraki.

AAK ka dhënë mbështetje për VV-në edhe në Fushë Kosovë. Kandidatja Vildane Latifi u rreshtua përkrah Valon Prebrezës së VV-së, që është në garë me LDK-në.
AAK dhe VV janë përballë njëra-tjetrës në Rahovec e në Gjakovë./VOX/







