Aquapark 1
02KOSOVËLAJME

Minatorët kërkojnë rritje pagash: “Koha të vlerësohet sakrifica jonë nën tokë”

Në një komunikatë drejtuar publikut dhe institucioneve përkatëse, Sindikata e Minatorëve ka ngritur zërin për kushtet e vështira të punës dhe mungesën e vlerësimit të duhur për punëtorët që çdo ditë zbresin në galeritë e nëntokës për të mbajtur gjallë prodhimin në ndërmarrjen e tyre, shkruan Mitropol.

Në reagimin e tyre, minatorët theksojnë se prej shumë vitesh kanë treguar durim e solidaritet, duke kontribuar me përkushtim në zhvillimin e ndërmarrjes pa kërkuar rritje të pagave, edhe pse sektorë të tjerë publikë kanë përfituar përmirësime të ndjeshme në të ardhura.

London

“Ne, minatorët, kemi duruar pa kërkuar rritje pagash, edhe pse sektorë të tjerë kanë pasur lëvizje dhe përmirësime. Tani që qeveria ka paralajmëruar rritje pagash për sektorët publikë dhe ka premtuar pagën e 13-të, është normale dhe e drejtë që edhe menaxhmenti i ndërmarrjes sonë të bëjë hapa konkretë për rritje të pagave të minatorëve”,  thuhet në komunikatë.

Sipas sindikatës, gjatë vitit të fundit është arritur një rritje e dukshme e prodhimit, e cila është rezultat i drejtpërdrejtë i përkushtimit të punëtorëve në terren. Ata theksojnë se ky sukses nuk mund të merret si i mirëqenë pa një shpërblim të drejtë për sakrificën që bëhet çdo ditë në kushte të vështira dhe të rrezikshme.

“Çdo ditë rrezikojmë jetën dhe shëndetin duke punuar në kushte të vështira dhe pa mjete të mjaftueshme. Pa një ligj të veçantë që na mbron, detyrohemi të vazhdojmë punën edhe kur rreziku është i lartë”, thuhet më tej.

Në fund, Sindikata e Minatorëve kërkon nga menaxhmenti i ndërmarrjes që të ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve, duke nisur me rritjen e pagave dhe respektimin e punës së tyre të ndershme.

“Është koha që menaxhmenti të marrë vendime konkrete për mirëqenien tonë: rritje pagash dhe respekt për punën dhe sakrificat që bëjmë çdo ditë.”

Minatorët mbeten një prej shtyllave më të rëndësishme të ekonomisë së vendit, por edhe ndër grupet më të ekspozuara ndaj rreziqeve fizike e sociale. Kërkesa e tyre për rritje pagash vjen në një kohë kur inflacioni dhe kostoja e jetesës po rëndojnë çdo ditë më shumë mbi familjet punëtore.

Koha