Active 2
KOSOVËLAJME

Haradinaj i drejtohet diasporës për zgjedhjet e 28 dhjetorit: Kosova ka nevojë për ju

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shpërndarë një mesazh drejtuar diasporës kosovare, në prag të nisjes së periudhës së aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme.

Nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor 2025, mërgimtarët kanë mundësi të regjistrohen për të ushtruar të drejtën e tyre të votës.

Dukato 1

Në postimin e tij, Haradinaj vë në pah rolin historik të diasporës: “Atdheu ju mban me vete, kudo që shkoni. E kam ndjerë gjithmonë peshën e mallit tuaj dhe forcën e dashurisë suaj për Kosovën”, ka shkruar ai.

Ai kujton sakrificat e brezave të mërgimtarëve, që nga koha e hershme e mërgimit deri te angazhimi në luftën për liri.

“Mërgimi juaj nuk është thjesht histori largimi. Është histori sakrifice, për jetën, për lirinë… Rrugëtimi ishte i atyre që luftuan e u angazhuan, i dëshmorëve e i heronjëve të cilët Kosova e shqiptaria gjithmonë i nderoi”, ka shtuar tutje Haradinaj.

Haradinaj thekson se rrugëtimi i mërgimtarëve vazhdon brez pas brezi, duke ndërtuar lidhjen me Kosovën dhe duke mbajtur gjallë identitetin kombëtar.

“Rrugëtimi juaj nuk është i thjeshtë. Ai fillon te gjyshi, kalon te babai, te i biri, e sot te nipi që po rritet për ta dashur Kosovën si familja e tij. Krejt jeta e mërgimtarit është rrugëtim. Krejt historia e tyre është rrugëtim. Dhe secili prej jush e mban në zemër një pjesë të atdheut, kudo që jeton.”

Ai ka përmbyllur postimin duke falënderuar të gjithë brezat që nuk e harruan vendlindjen, gjuhën dhe traditat, dhe duke theksuar rëndësinë e angazhimit të tyre për Kosovën: “Faleminderit gjyshërve e baballarëve, faleminderit krejt brezave që se harruan vendlindjen. Se harruan gjuhën e si harruan traditat. Ju e doni Kosovën, më shumë se sa fjalët që mund ta tregojnë. Dhe unë, si njëri prej jush dikur, e di se çdo hap që e bëjmë përpara, është edhe falë jush. Prandaj, zëri juaj, besimi juaj dhe angazhimi juaj, na duhen gjithmonë. Kosova ka nevojë për ju, siç edhe ju e keni mbajtur Kosovën gjallë në zemrat tuaja.”

Dukato 1