
Brenda një periudhe të shkurtër kohore, Policia e Kosovës ka trajtuar tri raste të ndara të dhunës në familje, të raportuara më 18 dhjetor 2025 në Vushtrri dhe Mitrovicë, duke nxjerrë edhe një herë në pah seriozitetin e këtij fenomeni shqetësues që vazhdon të prekë shoqërinë kosovare, shkruan Mitropol.
Sipas raportit zyrtar policor, rasti i parë është regjistruar dje në Vushtrri rreth orës 16:00, ku një grua ka raportuar se është sulmuar si verbalisht ashtu edhe fizikisht nga një burrë, i dyshuar në këtë rast. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit të palëve, me vendim të prokurorit kompetent, rasti është proceduar në procedurë të rregullt.
Vetëm disa orë më vonë, rreth orës 18:20, një tjetër rast i dhunës është raportuar në Mitrovicë. Viktima, grua, shtetase e Maqedonisë së Veriut, ka deklaruar se fillimisht është ofenduar nga një grua tjetër dhe më pas është sulmuar fizikisht nga një burrë. Si pasojë e sulmit, viktima ka marrë trajtim mjekësor dhe për arsye sigurie është dërguar në strehimore. Ndërkohë, dy të dyshuarit janë intervistuar nga policia dhe, me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i tretë është raportuar po atë ditë në Mitrovicën e Jugut, rreth orës 19:54. Sipas policisë, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një femre kosovare. Në këtë rast, i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është ndaluar, ndërsa viktima është dërguar në strehimore për mbrojtje dhe trajtim të mëtejshëm.
Policia e Kosovës bën të ditur se të gjitha rastet janë duke u trajtuar në përputhje me procedurat ligjore, duke theksuar rëndësinë e raportimit të menjëhershëm të çdo forme të dhunës. Institucionet përgjegjëse vazhdojnë t’u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos heshtin përballë dhunës në familje dhe të kërkojnë ndihmë, pasi mbrojtja e viktimave mbetet prioritet institucional dhe shoqëror./Mitropol/








