Premium Store
02KOSOVËLAJME

Therje me thikë në Leposaviq, viktima përfundon në spital – dy të dyshuar në arrati (EMRAT)

Përleshjet në të cilat përfshihen qytetarët në vendin tonë janë goxha të shpeshta dhe kjo po konsiderohet edhe si cenim i sigurisë publike. Të tilla incidente ndodhin qoftë nëpër rrugë, kafeteri apo edhe në hapësira të tjera publike.

Një rast i tillë me pasoja serioze fizike ka ndodhur pas mesnate në Leposaviq, ku një person është therur me thikë brenda shtëpisë së tij, mëson Gazeta Sinjali.

Premium Store

Ngjarja ka ndodhur më 03.01.2026 rreth orës 01:20, në rrugën “Vojvode Mišić” nr. 5, ku Policia ka pranuar informatën për një rrahje në progres.

Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë takuar viktimën Nenad Radović, rreth 51-vjeçar. Sipas deklarimit verbal të tij, në shtëpinë e tij kishin qenë dy persona mysafirë, me të cilët kishin konsumuar alkool.

Gjatë qëndrimit, mes tyre ka shpërthyer një konflikt verbal që ka eskaluar në dhunë fizike.

Burimet bëjnë me dije se të dyshuarit, Nemanija Dujic, rreth 32-vjeçar dhe një person tjetër ende i paidentifikuar, dyshohet se fillimisht i kanë marrë viktimës 100 euro nga kuleta, e më pas, gjatë ballafaqimit, njëri nga ta e ka therur me thikë në shpinë, në afërsi të boshtit kurrizor, duke i shkaktuar plagë të rënda dhe gjakderdhje.

Viktima është dërguar fillimisht për trajtim mjekësor në Shtëpinë e Shëndetit, e më pas është transferuar në Mitrovicë për trajtim të mëtejshëm.

Sipas mjekëve, gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Për shkak të gjendjes shëndetësore, policia nuk ka arritur të marrë deklaratë me shkrim nga viktima, por ai ka deklaruar se në shtëpi kishte mbetur letërnjoftimi i njërit nga të dyshuarit, pasi ata janë larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas incidentit.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që rasti të inicohet si “Lëndim i rëndë trupor”. Policia është në kërkim të personave të dyshuar dhe hetimet janë duke vazhduar.

Rasti mbetet nën hetime.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Aquapark 2