Punime ilegale në objekt të mbyllur nga Inspektorati, iniciohet rast në Mitrovicë të Veriut

Një rast i heqjes apo dëmtimit të vulave dhe sendeve zyrtare është evidentuar pasditen e së hënës në Mitrovicë të Veriut, ku autoritetet kanë ndërhyrë pas shkeljes së një ndalese zyrtare të vendosur nga Inspektorati Komunal, shkruan Mitropol.
Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 16:10, një burrë i dyshuar është hasur duke kryer punime në një objekt që ishte më herët i ndaluar për përdorim dhe punë ndërtimore nga Inspektorati Komunal. Dyshohet se, përkundër masave zyrtare dhe vendosjes së vulave, i njëjti ka vazhduar aktivitetet në objekt, duke shkelur kështu vendimin institucional.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent dhe ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë penale, ndërkohë që rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt. Organet hetimore pritet të verifikojnë rrethanat e plota të rastit, përfshirë mënyrën e tejkalimit të ndalesës dhe përgjegjësinë ligjore të personit të përfshirë./Mitropol/








