Premium Store
KOSOVËLAJME

Hykmete Bajrami falënderon mbi 57 mijë votues: “Votat janë përgjegjësi, jo thjesht shifra – LDK nuk dorëzohet”

Pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar përmes një mesazhi publik, ku ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e fundit. Ajo ka bërë të ditur se nga 126 mijë e 102 votues të LDK-së, plot 57 mijë e 153 qytetarë i kanë dhënë besimin e drejtpërdrejtë me votë, duke e bërë atë për herë të shtatë deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës, shkruan Mitropol.

“Ju jam mirënjohëse secilit prej jush”, ka shkruar Bajrami, duke theksuar se këto vota nuk i sheh thjesht si numra, por si shprehje të besimit dhe vlerësimit për punën e saj shumëvjeçare në Kuvend.

London

Sipas saj, mbështetja e marrë është mbi të gjitha një barrë e madhe përgjegjësie, që e obligon të vazhdojë angazhimin politik me të njëjtin përkushtim, ndershmëri dhe guxim. Bajrami ka rikujtuar se gjatë mandateve të kaluara ka qenë e angazhuar vazhdimisht në luftën kundër korrupsionit, në kërkesën për transparencë dhe llogaridhënie institucionale, si dhe në mbrojtjen e interesit publik, drejtësinë sociale dhe barazinë.

Megjithatë, ajo ka vlerësuar se sfidat për shtetin dhe demokracinë nuk kanë përfunduar. Përkundrazi, sipas Bajramit, sot Kosova po përballet me sulme serioze ndaj themeleve të saj demokratike, përmes propagandës, korrupsionit dhe përpjekjeve për rrënimin e institucioneve.

“Kundër tyre do të vazhdoj të jem zëri i juaj, pa kompromis dhe pa frikë”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se angazhimi i saj do të mbetet i orientuar drejt së vërtetës, si vlerë që, sipas saj, çliron, bashkon dhe e çon shoqërinë përpara.

Një pjesë e rëndësishme e reagimit të Bajramit i është kushtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo ka qenë e prerë se dorëzimi i LDK-së nuk është dhe nuk do të jetë opsion, pavarësisht rezultateve apo rrethanave politike.

“LDK ka ndërtuar dhe ndërton çdo ditë standarde, edhe kur fiton, edhe kur nuk arrin rezultatin për të cilin ka synuar”, ka theksuar ajo, duke e cilësuar rezultatin zgjedhor të 28 dhjetorit si përgjegjësi, mësim dhe reflektim për secilin brenda partisë.

Sipas Bajramit, nuk ka rrugë tjetër përveç ringritjes dhe rikthimit të LDK-së, duke vendosur gjithmonë interesin e partisë mbi atë individual dhe Kosovën mbi çdo kalkulim partiak.

Në përmbyllje të mesazhit, deputetja e LDK-së ka ritheksuar bindjen se procesi i rikthimit është i pashmangshëm. “Së bashku nuk do të ndalemi. LDK duhet dhe do të rikthehet e para, me punë, me besim dhe me ekip”, ka përfunduar ajo./Mitropol/

Premium Store