Medi
KOSOVËLAJME

Ganimete Musliu: Gabimi “trashanik” i LDK-së ishte heshtja ndaj Faton Pecit dhe Vjosa Osmanit, jo votimi i Hashim Thaçit

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Besian Mustafës nga LDK, i cili e ka cilësuar votimin e Hashim Thaçit për president si “gabim trashanik” të kësaj partie. Sipas Musliut, një vlerësim i tillë jo vetëm që është i pasaktë, por tenton të fshehë problemin real dhe më të thellë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në një postim publik, Musliu thekson se gabimi i vërtetë i LDK-së nuk ka qenë mbështetja për Hashim Thaçin, por ajo që e quan “heshtje, frikë dhe mungesë kronike e guximit politik”. Ajo kritikon ashpër udhëheqjen dhe qasjen politike të LDK-së, duke e akuzuar për paaftësi për t’u përballur me realitetin politik dhe për mungesë kuraje për të adresuar drejtpërdrejt figurat që, sipas saj, i kanë shkaktuar dëme të mëdha kësaj partie.

Aurora Group

Në veçanti, Musliu ndalet te mungesa e kritikës ndaj Donika Gërvallës, Faton Pecit dhe Vjosa Osmanit, duke thënë se LDK ka ushqyer iluzione të rreme se këta emra do t’ia kthenin votat e humbura dhe do t’i riparonin dëmet që, sipas saj, ata vetë ia kanë shkaktuar LDK-së ndër vite.

Deputetja e PDK-së thekson se heshtja e LDK-së u bë edhe më e rëndë kur kjo parti, sipas saj, mbylli sytë përballë skandaleve të shumta që shënuan mandatin e Faton Pecit në qeveri, të Donika Gërvallës në diplomaci dhe të Vjosa Osmanit në presidencë. Ajo përmend keqmenaxhimin, vendimet e kontestuara, arrogancën politike, shkeljen e standardeve institucionale dhe dëmtimin e funksionimit demokratik të shtetit si elemente që, sipas saj, u toleruan nga LDK në emër të kalkulimeve të ulëta politike.

“Me këtë sjellje, LDK nuk dështoi vetëm si opozitë, por u bë bashkëfajtore përmes heshtjes”, shkruan Musliu, duke e akuzuar këtë parti se ka zgjedhur të përkulet në vend se të përballet dhe të shpresojë në vend se të veprojë.

Në fund të reagimit të saj, Musliu shprehet se problemi i LDK-së nuk qëndron te e kaluara, por te mungesa e guximit për ta thënë të vërtetën sot. Sipas saj, kjo mungesë qëndrimi e ka shndërruar LDK-në në një subjekt të paqëndrueshëm dhe të padenjë për barrën historike që pretendon të mbajë në skenën politike të Kosovës./Mitropol/

Weelnes