Gruaja nga Skenderaj raporton se po rrahej vazhdimisht nga burri, shteti e merr nën mbrojtje

Një rast i dhunës në familje është raportuar të martën në komunën e Skenderajt, duke vënë në pah edhe një herë shqetësimin për sigurinë brenda ambientit familjar, shkruan Mitropol.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 13 janar 2026, ku gruaja e dyshuar si viktimë ka deklaruar se në vazhdimësi ka pësuar dhunë nga bashkëshorti i saj, burri i dyshuar.
Pas raportimit të rastit, njësitet policore kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore, përfshirë bastisjen e dy lokacioneve që janë pronë e të dyshuarit. Megjithatë, gjatë këtyre bastisjeve nuk është gjetur asnjë send i dyshimtë apo material inkriminues.
Me vendim të prokurorit kompetent, viktimës i është lëshuar urdhër mbrojtjeje, me qëllim të garantimit të sigurisë së saj dhe parandalimit të përsëritjes së dhunës.
Rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt, ndërsa organet e drejtësisë pritet të ndërmarrin veprime të mëtejme në përputhje me ligjin në fuqi./Mitropol/








