I akuzuari për plagosjen e dy personave, në mesin e tyre një e mitur, në Vushtrri, nuk e pranon

Në Gjykatën e Mitrovicës dje është mbajtur seanca fillestare ndaj të pandehurit Sh.B., i cili dyshohet se plagosi 16-vjeçaren E.V. dhe një person tjetër me inicialet M.V.
Ngjarja për të cilën po akuzohet Sh.B. ka ndodhur më 27.11.2025 në oborrin e shtëpisë së tij në Vushtrri.
Në seancën e mbajtur më 02.03.2026, ai nuk e pranoi fajësinë.
“Meqenëse i pandehuri nuk e ka pranuar fajësinë për veprat penale sipas aktakuzës, kryetari i trupit gjykues e ka njoftuar se në afat prej 30 ditësh nga dita e mbajtjes së shqyrtimit fillestar mund të paraqesë kundërshtimet ndaj provave të propozuara në aktakuzë apo kërkesën për hedhjen e aktakuzës” – tha për Kallxo.com zëdhënësja e kësaj Gjykate, Hateme Haxhaj.
Sipas saj, masa e paraburgimit ndaj të pandehurit është caktuar në procedurë paraprake dhe vlen deri më 19 mars.
Ndërsa më 16.02.2026, Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatë ndaj të pandehurit për shkak të veprave penale – vrasja e rëndë në tentativë, – armëmbajtje pa leje, dhe – asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.
Sipas njoftimit, i pandehuri akuzohet se më 27 nëntor 2025 në Vushtrri, në oborrin e shtëpisë së tij, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta 16-vjeçaren E.V. dhe personin me inicialet M.V.
“Ashtu që posa kanë hyrë në oborrin e të pandehurit, i njëjti me pushkën e tij gjysmë automatike ka shtënë në drejtim të të dëmtuarve, me ç’rast është plagosur e mitura E. V., në regjionin e shpatullës së majtë”- thuhet në njoftimin e Sistemit Prokurorial.
Të akuzuarit Policia i ka konfiskuar dhjetë fishekë.
Si pasojë e gjuajtjes me armë nga predhat është goditur një automjet në pronësi të I.B., dhe një dritare në banesën e pronarit L.Sh.
Policia e Kosovës kishte njoftuar për këtë tentim vrasje të ndodhur në Vushtrri më 27.11.2025./Kallxo/








