Medi
02OP-ED

Mulla Ferhat Gërguri – Personaliteti, dhe veprimtaria e tij fetare si imam dhe hatib në Xhaminë e Çarshisë në Vushtrri

Shkruan: Hoxhë Dr. Besfort Maxhuni
Jordani – Amman, 12 maj 2021
E rishikuar më 19 mars 2026

Kam nderin e veçantë që në këtë shkrim të flas, në mënyrë të përmbledhur, për personalitetin e hoxhës tim të parë, Hoxhë Mulla Ferhat Gërgurit, Allahu e mëshiroftë, për imamllëkun dhe veprimtarinë e tij në Xhaminë e Madhe të Çarshisë në Vushtrri, sidomos gjatë viteve ’90, kur edhe ne filluam të mësojmë rreth Islamit dhe disa prej shkencave të tij nga ai.

Premium Store

Viti 1990 dhe gjendja fetare në Vushtrri

Unë, Besfort Zafir Maxhuni, nipi i Mulla Ibrahim Maxhunit, fillova të shkoj në xhami për të mësuar fenë kur isha 10 vjeç, pikërisht në vitin 1990.

Në atë kohë të vështirë, nën sundimin dhe dhunën e regjimit serb në të gjitha aspektet e jetës, si dhe nën ndikimin e mbetur të ideologjisë komuniste, nuk ishte e zakonshme që fëmijët e vegjël të shkonin në xhami. Mbizotëronte një mendim i gabuar, i trashëguar nga ajo periudhë, se vetëm të moshuarit duhej të frekuentonin xhaminë.

Për këtë arsye, kur ne hynim në xhami, shpesh përballeshim me habi. Disa nga të moshuarit na pyesnin: “Pse ke ikur nga shtëpia? Përse ke ardhur në xhami? Kush të ka rrahur?”, madje kishte edhe raste kur përpiqeshin të na largonin.

Në atë kohë, Vushtrria kishte tri xhami:

– Xhamia e Madhe e Çarshisë
– Xhamia Gazi Ali Beg, ku shërbente Mulla Selman Muzaqi, Allahu e mëshiroftë
– Xhamia Karamanllë, ku shërbente Mulla Raif Dushi, Allahu e mëshiroftë

Për shkak të rrethanave të rënda, vetëm Xhamia e Çarshisë ishte e hapur rregullisht për pesë kohët e namazit. Dy xhamitë e tjera hapeshin rrallë gjatë javës dhe kishin xhemat shumë të vogël. Shpesh ndodhte që imami të falej i vetëm. Namazet e akshamit dhe jacisë, në shumicën e rasteve, nuk falëshin fare.

Kjo gjendje ishte tepër e dhimbshme. Shtëpitë e Allahut mbeteshin pa besimtarë dhe pa rini, e cila është shtylla e çdo shoqërie.

Fillimi i një gjenerate të re

Në këtë realitet, ne përfaqësonim gjeneratën e parë të të rinjve që filluam të shkonim në xhami për t’u falur dhe për të mësuar fenë islame.

Në të njëjtën kohë, Mulla Raif Dushi kishte një numër të konsiderueshëm nxënësish në Xhaminë Karamanllë. Ndërsa për Mulla Selman Muzaqin, për shkak të gjendjes shëndetësore, në atë periudhë nuk kishte nxënës, megjithëse më herët kishte pasur shumë.

Personaliteti i Mulla Ferhat Gërgurit

Kam pasur fatin të qëndroj pranë hoxhës tim, Mulla Ferhat Gërgurit, dhe ta njoh nga afër. Ai tregonte një kujdes të veçantë për ne dhe për këtë arsye ne e donim dhe e respektonim shumë. Për mua, ai ishte shembull në rrugëtimin tim si nxënës i dijes, që nga fillimi e deri në përfundimin e studimeve në Medresenë “Alauddin” në Prishtinë.

Ai gëzonte respekt të jashtëzakonshëm në mesin e qytetarëve të Vushtrrisë dhe në radhët e hoxhallarëve, gjë që e kam parë dhe dëgjuar vazhdimisht.

Ishte i njohur për zërin e tij të bukur. Thirrja e ezanit dhe leximi i Kur’anit prej tij i jepnin jetë qytetit dhe hijeshi xhamisë.

Po ashtu, një figurë e rëndësishme ishte edhe myezini i xhamisë, Hafiz Mustafë Gjyshinca, Allahu e mëshiroftë, i cili dallohej për zërin e fuqishëm dhe të veçantë, sidomos gjatë festave.

Mulla Ferhati ishte i njohur për përkushtimin dhe seriozitetin në punë, por njëkohësisht edhe për modestinë, thjeshtësinë dhe mëshirën ndaj të gjithëve.

Qëndrimi dhe karakteri

Ai ecte gjithmonë me përulësi, me shikim të ulur dhe pa zhurmë. Edhe pse kishte një paraqitje serioze, në thelb ishte shumë i butë dhe i afërt me njerëzit.

Shpesh e shihnim të menduar thellë. Ai mendonte për të ardhmen e fesë, për rininë dhe për mënyrat se si Islami mund të përhapej në rrethana të vështira.

Na thoshte shpesh:

“Ne i kemi mundësitë shumë të kufizuara, por së paku nuk e kemi lënë fenë të dobësohet.”

Dhe gjithashtu:

“Përparimi i Islamit do të vijë në kohën tuaj.”

Kjo më pas u vërtetua, pasi shumë prej nxënësve vazhduan studimet dhe u kthyen për të kontribuar në shoqëri.

Guximi në kohë të vështira

Një nga tiparet më të forta të tij ishte guximi. Xhamia e Çarshisë nuk u mbyll asnjëherë, pavarësisht rrethanave të viteve ’90.

Edhe gjatë orëve policore, ai dilte dhe thërriste ezanin për pesë kohët e namazit. Kjo kërkonte guxim të jashtëzakonshëm dhe ishte një burim frymëzimi për qytetarët.

Ai u bë simbol i qëndresës shpirtërore dhe morale në një kohë represioni.

Veprimtaria dhe kontributi

Mulla Ferhat Gërguri ishte aktiv edhe në nivel më të gjerë fetar. Ai ishte pjesë e strukturave të Bashkësisë Islame dhe merrte pjesë në aktivitete dhe seminare në rajon.

Megjithatë, kontributi i tij më i madh ishin nxënësit.

Në vitin 1991, grupi i parë përbëhej nga 85 nxënës dhe nxënëse. Me kalimin e kohës, numri u zvogëlua, por një pjesë e madhe vazhduan deri në fund dhe mësuan leximin e Kur’anit dhe bazat e shkencave islame.

Ndër nxënësit më të dalluar ishin:

Jusuf Beka, Ilir Osmani, Besim Selimi, Besfort Maxhuni. Më vonë, ai formoi edhe grupe të tjera, ndër të cilët u dallua edhe Dr. Sadat Islami.

Trashëgimia

Hoxha shpesh thoshte se krenaria e tij më e madhe ishin nxënësit. Ai arriti të formojë kuadro të reja, ndër të cilët edhe tre doktorë të shkencave islame nga Vushtrria, Hoxhë Dr. Besfort Maxhuni, Hoxhë Dr. Sadat Islami, Hoxhë Dr. Ilir Osmani.

Kjo mbetet një trashëgimi e rëndësishme për qytetin dhe më gjerë.

Përfundim

Mulla Ferhat Gërguri mbetet një figurë e rëndësishme fetare dhe kombëtare, i cili në kohë të vështira arriti të ruajë dhe të forcojë besimin dhe edukimin fetar.

Lusim Allahun e Gjithëmëshirshëm që ta shpërblejë me Xhenetin Firdevs dhe ta mëshirojë atë, familjen e tij dhe të gjithë ata që i shërbyen fesë dhe kombit.

Vërejtje: Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrim të redaksisë.

Premium Store