Dy gra raportojnë se u rrahën nga burrat në regjionin e Mitrovicës, njëra prej tyre u bë për spital

Dy raste të ndara të dhunës në familje janë raportuar së fundmi në rajonin e Mitrovicës, përkatësisht në Mitrovicë dhe në Vushtrri, duke rikthyer në vëmendje një nga fenomenet më shqetësuese sociale në vend, njofton Mitropol.
Rasti i parë ka ndodhur më 8 prill 2026, rreth orës 23:00, në Mitrovicë. Sipas raportit zyrtar, një burrë i dyshuar, i cili ishte nën ndikimin e alkoolit, ka sulmuar fizikisht gruan. Si pasojë e sulmit, viktima ka pësuar lëndime dhe ka pranuar trajtim mjekësor. I dyshuari është arrestuar nga policia, por më pas, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, një tjetër rast që ka ndodhur më 2 prill 2026 në Vushtrri, rreth orës 13:00 është raportuar dje. Në këtë rast, një burrë i dyshuar akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Viktima nuk ka kërkuar trajtim mjekësor, ndërsa rasti është ende në fazën e hetimeve nga organet kompetente./Mitropol/








