
Rreth një orë më parë “Mitropol” raportoi për praninë e një helikopteri të KFOR-it që u pa duke ateruar në një kodrinë në zonën e njohur si Kroi i Vitakut, në veri të Mitrovicës dhe duke u ngritur sërish prej aty.
Pas interesimit të redaksisë së Mitropol, KFOR ka dhënë një përgjigje zyrtare duke sqaruar se bëhet fjalë për aktivitete të zakonshme operative, të cilat zhvillohen rregullisht në kuadër të mandatit të këtij misioni në Kosovë.
Sipas përgjigjes, këto aktivitete përfshijnë ushtrime rutinore dhe mbështetje logjistike, që kanë për qëllim ruajtjen e gatishmërisë dhe efektivitetit të forcave të KFOR-it në terren.
Nga ky mision theksohet se operacionet e tilla janë pjesë e përditshme e angazhimit të tyre për të garantuar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes, në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Në të njëjtën kohë, KFOR ka hedhur poshtë çdo lidhje të këtyre lëvizjeve me vizitën aktuale të Komitetit Ushtarak të NATO-s në Kosovë. Sipas tyre, kjo vizitë është një ngjarje e planifikuar më herët dhe ka karakter të veçantë, e fokusuar në diskutime dypalëshe dhe vlerësime të situatës së sigurisë.
Ky sqarim vjen në një kohë kur prania e strukturave të larta ushtarake të NATO në Kosovë ka rritur vëmendjen ndaj çdo lëvizjeje në terren, veçanërisht në zonat e ndjeshme si veriu i Mitrovicës./Mitropol/








