Aurora Group
02LAJME

Zhduket një “Mercedes” në mes të ditës tek QKMF në Mitrovicë – Policia e gjen në mbrëmje dhe ia kthen pronarit

Një rast i vjedhjes së rëndë ka ndodhur dje, gjatë ditës së enjte, më 30 prill 2026, në Mitrovicë, ku një veturë e tipit “Mercedes” është raportuar e zhdukur nga parkingu i QKMF “Dr. Nexhat Çuni”, duke alarmuar pronarin dhe autoritetet policore, njofton Mitropol.

Sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, rasti është denoncuar rreth orës 16:00, kur burri i dyshuar si viktimë ka raportuar se persona të panjohur i kanë vjedhur automjetin me targa vendore. Rasti është cilësuar si “Vjedhje e rëndë” dhe menjëherë kanë nisur hetimet nga njësitë kompetente.

Tripika

Burime të sigurta të Mitropol bëjnë të ditur se vetura ishte parkuar në hapësirat e QKMF-së në Mitrovicë të Jugut në orët e mëngjesit, ndërsa zhdukja është vërejtur vetëm në orët e pasdites, kur pronari ishte kthyer për ta marrë.

Sipas deklarimeve të tij, automjeti kishte qenë në vend deri në orët e paradites, ndërsa mungesa e tij është konstatuar më vonë. Vlera e veturës, sipas burimeve, arrin deri në rreth 18 mijë euro.

Megjithatë, zhvillimet e fundit sjellin një kthesë pozitive në këtë rast.

Burime të Mitropol konfirmojnë se Policia e Kosovës ka arritur ta lokalizojë veturën gjatë orëve të vona të mbrëmjes së së njëjtës ditë. Automjeti është gjetur dhe më pas i është kthyer pronarit, i cili paraprakisht e kishte raportuar si të vjedhur.

Autoritetet policore po vazhdojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit./Mitropol/

Koha