Pellini
02LAJME

“Djali yt ma bleu motorin” – 21-vjeçari ia merr 500 euro qytetarit në Mitrovicë dhe përfundon në ndalim

Një mashtrim që dyshohet se u organizua me pretekstin e shitjes së një motori ka përfunduar me arrestim në Mitrovicën e Veriut, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Sipas informacioneve, gjithçka ndodhi pasi i dyshuari Hajrullah Ahmeti, rreth 21-vjeçar kontaktoi M.B., rreth 51 vjeçar, duke i thënë se ia kishte shitur një motor djalit të tij dhe se duhej t’i merrte paratë.

Premium Store

Burimet bëjnë të ditur se ankuesi, duke besuar se djali i tij kishte kryer marrëveshjen për blerjen e motorit, ia dorëzoi 500 euro të dyshuarit.

Por dyshimet nisën menjëherë pasi ai komunikoi me djalin e tij dhe kuptoi se i njëjti nuk kishte blerë asnjë motor dhe nuk kishte asnjë marrëveshje me personin në fjalë.

Pasi e kuptoi se kishte rënë pre e mashtrimit, qytetari e raportoi rastin në Polici.

Njësia e Hetimeve Rajonale në Mitrovicën e Veriut ka nisur menjëherë veprimet hetimore dhe në koordinim me Prokurorin kujdestar është iniciuar rasti për veprën penale “Mashtrim”.

Me vendim të Prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Premium Store