
Një incident i pazakontë është regjistruar mbrëmjen e së dielës në Emergjencën e QKMF-së së Mitrovicës, ku një punonjës shëndetësor ka përfunduar viktimë e një sulmi fizik nga një qytetar, pas një debati të ashpër lidhur me një tretman mjekësor, njofton Mitropol.
Sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicën e Jugut. Ankuesi që punon në Emergjencë, ka raportuar se gjatë ushtrimit të detyrës është sulmuar fizikisht nga një i dyshuar pas një mosmarrëveshjeje që kishte lindur gjatë komunikimit për trajtimin e një rasti mjekësor.
Viktima ka marrë menjëherë trajtimin e nevojshëm mjekësor për lëndimet e pësuara, ndërsa njësitë policore kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe për të marrë në pyetje personin e dyshuar. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është cilësuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”, dhe policia ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e incidentit.
Ky është një ndër rastet që rikujton vështirësitë me të cilat përballen punonjësit shëndetësorë, të cilët përveç ngarkesës së madhe të punës, shpesh bëhen cak i zemërimit të pacientëve apo familjarëve të tyre. Institucionet përkatëse kanë apeluar që çdo pakënaqësi të shprehet në mënyrë ligjore dhe civilizuese, duke mos cenuar sigurinë e stafit mjekësor që ndodhet në vijën e parë të kujdesit ndaj qytetarëve./Mitropol/








