Dukato 2
EKONOMIKOSOVËLAJME

Fermerët akuzojnë kompaninë “DRENA” për borxhe deri në 20 mijë euro që nga dhjetori: “Jemi prag falimentimit, do i bllokojmë rrugët”

Shumë fermerë që merren me prodhimin e qumështit në Kosovë kanë ngritur shqetësime serioze ndaj kompanisë Drena, duke pretenduar se nuk janë paguar për qumështin e dorëzuar që nga muaji dhjetor i vitit 2025.

Sipas ankesave të dërguara në redaksinë e “Mitropol”, fermerët thonë se kompania u ka mbetur borxh me shuma të konsiderueshme financiare, ku secili prej tyre pretendon se ka mbi 15 mijë euro pagesa të papaguara për furnizimin me lëndë të parë.

Tripika

Ata deklarojnë se situata financiare është bërë alarmante dhe po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e fermave të tyre. Në mungesë të pagesave, fermerët thonë se po përballen me vështirësi serioze për të mbuluar shpenzimet bazë, përfshirë edhe ekzekutimin e pagave për punëtorët.

“Jemi detyruar të largojmë punëtorë nga puna sepse nuk kemi mjete financiare për t’i paguar. Të gjitha të hyrat tona varen nga pagesat që duhet të na kryejë kompania”, thuhet në ankesat e disa fermerëve drejtuar “Mitropol”.

Sipas tyre, përfaqësuesit e kompanisë tash e një kohë nuk po u përgjigjen as në telefonata, ndërsa komunikimi me ta është bërë pothuajse i pamundur.

Fermerët pretendojnë se posedojnë faturat e lëshuara ndaj kompanisë për furnizimin me qumësht, të cilat, sipas tyre, nuk janë ekzekutuar që nga fundi i vitit të kaluar. Ata përmendin edhe emrin e Rrustem Rrukolli, për të cilin thonë se vazhdimisht u ka premtuar se pagesat do të kryhen “shumë shpejt”, por pa ndonjë rezultat konkret deri më tani.

Përveç vonesave të pagesave, fermerët kanë shprehur pakënaqësi edhe lidhur me zvogëlimin e kompensimit për njësitë e qumështit, bazuar në nivelin e yndyrës, duke pretenduar se kjo ka ndikuar edhe më shumë në uljen e të hyrave të tyre.

Ata paralajmërojnë se, nëse kompania nuk kryen obligimet financiare në ditët në vijim, do të ndërmarrin masa protestuese, përfshirë bllokimin e rrugëve.

“Mitropol” ka kontaktuar edhe kompaninë Drena për të marrë një qëndrim lidhur me pretendimet e fermerëve. Kërkesa për përgjigje është dërguar që nga dita e premte, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk është kthyer asnjë përgjigje nga kompania.

Mes tjerash, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka gjetur qindra produkte KOS 200 gr. të kompanisë “Drena” Sh.P.K. të rrezikshëm për përdorim gjatë inspektimit që kishte kryer në kompani më 14 mars 2025 ku kanë dalë rezultate të pakënaqshme në kriterin e higjienës “Enterobakteri”.

Me këtë rast AUV kishte obliguar kompaninë “Drena” Sh.P.K. me pronar biznesmenin Rrustem Rukolli që këtë produkt të kosit ta tërhiwte nga tregu dhe të njoftoj AUV-in për asgjësimin e tij.

Kujtojmë se Rukolli ishte shpallur fajtor edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale, aktivitete të jashtëligjshme minerare në qershor të vitit 2021 pas aktakuzës së ngritur ndaj tij më 2018.

Ai ishte dënuar me 3,600 euro gjobë për këtë vepër penale

Në aktakuzë thuhej se më 10 tetor 2017, gjatë inspektimit të aktiviteteve të jashtëligjshme minerare nga inspektorati i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), ishte konstatuar se N.N “R&Rukolli” Sh.p.k, me pronar, personin përgjegjës Rrustem Rukolli, me qëllim që vetit t’i sjell dobi pasurore kishte ushtruar aktivitet të jashtëligjshëm minerar, ashtu që pa leje për aktivitete të veçanta nga organi kompetent i KPMM-së, kishte bërë në lokacionin e objektit minerar, fabrikën për prodhimin e betonit në zonën industriale të Komunës së Prishtinës. /Mitropol/

Active 1