Lagjja problematike ‘Evlia Qelebia’ s’gjen qetësi: Brenda tri orësh, vjedhje arme dhe arrestim nga Policia

Dy raste që lidhen me armë zjarri janë raportuar të hënën në rrugën “Evlia Qelebia” në Mitrovicë, ku fillimisht është raportuar një vjedhje të rëndë, ndërsa disa orë më vonë policia ka arrestuar një person për posedim të paautorizuar të armës, njofton Mitropol.
Sipas raportit policor, rasti i parë është paraqitur rreth orës 13:40, kur një burrë ka njoftuar policinë se persona të panjohur kishin hyrë në lokalin e tij dhe i kishin vjedhur një armë të shenjëtarisë me leje, bashkë me një karikator në të cilin ndodheshin 2 deri në 3 fishekë.
Për rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për identifikimin e personave të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të rastit.
Vetëm tri orë më vonë, po në të njëjtën rrugë, rreth orës 16:40, policia ka arrestuar një person, pasi gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur një armë zjarri me një karikator pa fishekë.
Sipas policisë, arma ishte me leje të shenjëtarisë, mirëpo i dyshuari nuk e kishte vendosur atë sipas kushteve dhe rregullave të përcaktuara në leje.
Pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa arma është konfiskuar përkohësisht./Mitropol/







