Pellini
02KOSOVËLAJME

Përleshja me armë në Skenderaj, këta janë dy mbi 70 vjeçarët që u përleshen mes vete – njëri u lëndua

Një incident i rëndë ka ndodhur paraditen e së hënës në qendër të Skenderajt, ku një person ka mbetur i lënduar pas një përleshjeje që dyshohet se ka përfshirë edhe përdorimin e armës.

Sinjali mëson se të dyshuarit janë Sh.M, rreth 75-vjeçar dhe B. m, rreth 73-vjeçar, pas një konflikti që ka eskaluar në dhunë fizike dhe përdorim të armës.

Dukato 1

Ngjarja është raportuar më 12 maj 2026 rreth orës 11:10, në afërsi të Sallës së Kulturës “Hasan Prishtina”, ku Policia kishte pranuar njoftim për një përleshje mes dy personave, njëri prej të cilëve dyshohej se mbante armë.

Sipas burimeve, me të arritur në vendngjarje, njësitet policore kanë gjetur një person të lënduar, ndërsa i dyshuari tjetër ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Në vendngjarje është gjetur edhe një gëzhojë, që dyshohet se është shkrepur nga një armë e shkurtër me gas.

Pas veprimeve hetimore, është identifikuar dhe shoqëruar në Polici Sh.M, i cili dyshohet se gjatë konfliktit e ka goditur B.M me armë në pjesën e kokës dhe më pas edhe me grushte.

Nga i dyshuari është sekuestruar një armë me gas e tipit “RECK MIAMI 92F”, kalibër 9 mm, së bashku me një karikator dhe gjashtë fishekë me gas.

Viktima fillimisht ka marrë trajtim mjekësor në Skenderaj dhe Mitrovicë, por për shkak të lëndimeve është dërguar në QKUK në Prishtinë.

Pas intervistimit dhe me urdhër të Prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Rasti po hetohet si: “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Weelnes