Active 2
02KOSOVËLAJME

Vajza e mërgimtarit nga Mitrovica në Amerikë mbetet pa shtetësi të Kosovës me arsyetim banal nga shteti

Një vendim i Divizionit për Shtetësi në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka nxitur reagimin e ashpër të mërgimtarit Sabit Avdiu nga Mitrovica, pasi vajzës së tij, Elira Avdiu, e lindur në SHBA, i është refuzuar kërkesa për fitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës me natyralizim, njofton Mitropol.

Sipas vendimit zyrtar të siguruar nga redaksia e “Mitropol”, institucionet e Kosovës e kanë bazuar refuzimin në pretendimin se dokumentet e paraqitura nga New York-u tregojnë vendlindjen e babait si “Vuciterne, Yugoslavia” (Vushtrri, Jugosllavi), duke krijuar sipas tyre mospërputhje me dokumentet e Kosovës dhe duke mos dëshmuar lidhjen e ngushtë familjare me një paraardhës që konsiderohet pjesëtar i diasporës.

Tripika

I prekuri nga ky vendim, mërgimtari mitrovicas, ka shprehur indinjatën e tij të thellë duke ofruar dëshmi që rrëzojnë arsyetimin e zyrtarëve të MPB-së. Në dokumentet e tij personale, duke përfshirë edhe pasaportën valide të SHBA-së, në rubrikën e vendlindjes shkruan qartë “Kosovë” dhe jo Jugosllavi, siç pretendohet në arsyetimin e vendimit të Divizionit për Shtetësi.

“Është e pakuptimtë dhe e papranueshme që vajzës sime t’i mohohet e drejta e shtetësisë me një arsyetim të tillë, kur dokumentet e mia personale dëshmojnë qartë se vendlindja ime është Kosova,” ka deklaruar prindi.

Çka thuhet në vendimin zyrtar të MPB-së?

Në vendimin e lëshuar më datë 12/02/2026 nga drejtori i DSHAM-it, Valon Krasniqi, thuhet se kërkesa e parashtruar në shtator të vitit 2025 është refuzuar me arsyetimin se:

• Nuk janë përmbushur kriteret e Nenit 16, paragrafit 3 të Ligjit për Shtetësinë (që rregullon statusin e pasardhësve të diasporës).

• Sipas dokumenteve të New York-ut, vendlindja e babait figuron si “Vuciterne, Yugoslavia”, gjë që sipas zyrtarëve nuk përputhet me certifikatën e lindjes të lëshuar në Kosovë ku prindi figuron i lindur në Oshlan të Vushtrrisë.

Mërgimtari mitrovicas thotë se ndjehet i anashkaluar nga shteti për shkak të këtij vendimi të cilin e konsideron si padrejtësi administrative./Mitropol/

Pellini