Familja e raportoi si të zhdukur, gruaja nga Vushtrria gjendet në Ferizaj dhe rrëfen dhunën psikike nga burri

Një grua nga Vushtrria, e cila ishte raportuar si e zhdukur nga familjarët e saj pas disa ditësh pa kontakt, është gjetur nga Policia në Ferizaj, ndërsa më pas ka rrëfyer se ishte larguar nga shtëpia për shkak të dhunës psikike nga bashkëshorti.
Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se fillimisht vëllai i saj ishte paraqitur në Polici duke raportuar se nuk kishte asnjë kontakt me motrën prej pesë ditësh dhe dyshonte se asaj mund t’i kishte ndodhur diçka.
Pas shpërndarjes së informatave për lokalizimin e saj, viktima është hasur nga njësitet policore në Ferizaj dhe më pas është shoqëruar në Stacionin Policor në Vushtrri për intervistim.
Gjatë deklarimit para hetuesve, V.M., ka treguar se bashkëshorti i saj, Sh.K., ushtronte vazhdimisht dhunë psikike ndaj saj, duke e sharë dhe ofenduar në mënyrë të përsëritur.
Sipas saj, për shkak të situatës së rënduar në familje, ajo kishte vendosur të largohej nga shtëpia më 14 maj dhe kishte shkuar në Ferizaj, ku kishte marrë me qira një banesë për të jetuar e vetme.
Pas intervistimit, Policisë i është kërkuar lëshimi i urdhrit emergjent mbrojtës për viktimën, ndërsa ajo ka vendosur të vazhdojë të qëndrojë në banesën që kishte siguruar vetë në Ferizaj.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa bashkëshorti i saj pritet të intervistohet nga hetuesit.
Rasti është referuar për hetime të mëtejshme.








