
Turqia synon që samiti i ardhshëm i NATO-s, i cili do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara, të shërbejë për riafirmimin e unitetit dhe integritetit të aleancës, shkruan Mitropol.
Sipas agjencisë Reuters, Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, do t’ua përcjellë këtë mesazh ministrave të jashtëm të NATO-s gjatë takimit dyditor që zhvillohet këtë javë në Helsingborg të Suedisë.
Burime nga Ministria e Jashtme e Turqisë kanë bërë të ditur se Fidan do t’i informojë aleatët për përgatitjet e Ankarasë si nikoqire e samitit të liderëve të NATO-s, duke theksuar përpjekjet që ky organizim të jetë një ngjarje e nivelit të lartë për forcimin e unitetit brenda aleancës.
Po ashtu, ai pritet të prezantojë kontributin e Turqisë në NATO dhe të vë në pah përvojën e vendit në shndërrimin e investimeve në mbrojtje në kapacitete konkrete ushtarake.
Sipas burimeve diplomatike turke, Fidan do të kërkojë gjithashtu thellimin e bashkëpunimit transatlantik në industrinë e mbrojtjes, pa kufizime mes vendeve aleate.
Në samitin e Ankarasë mund të ftohen edhe anëtarët e Iniciativës së Bashkëpunimit të Stambollit (ICI), si dhe Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re, të njohura si “Katërshja Indo-Paqësore”.
Burimet bëjnë të ditur se aleatët e NATO-s pritet të vendosin në ditët në vijim lidhur me listën përfundimtare të të ftuarve në samit








