SHBA për Xhandarmërinë e Kosovës: Plani të jetë në përputhje me zotimet për paqe dhe siguri

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur se presin që plani i Qeverisë në detyrë të Kosovës për themelimin e Xhandarmërisë të jetë në përputhje me zotimet për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, shkruan Mitropol.
Kështu ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i cili shtoi se SHBA po i monitoron njoftimet e fundit lidhur me propozimin për krijimin e kësaj force të re të sigurisë.
Më 19 maj, Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë ndërmarrë hapat e parë drejt themelimit të Xhandarmërisë së Kosovës.
Ai ka bërë të ditur se është nënshkruar dokumenti për krijimin e një grupi punues, i cili do të analizojë dhe propozojë modalitetet për funksionimin e kësaj strukture.
Sipas Sveçlës, Xhandarmëria do të ketë mision të qartë në ruajtjen e kufijve, integritetit dhe sovranitetit territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave si dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.








