
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk ka sqaruar nëse institucionet e Kosovës janë koordinuar me KFOR apo me faktorë të tjerë ndërkombëtarë lidhur me iniciativën për themelimin e xhandarmerisë së Kosovës, shkruan Mitropol.
Në një konferencë për media, Sveçla tha se aktualisht në grupin punues janë të përfshira vetëm institucionet vendore, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës dhe mekanizma të tjerë të sigurisë.
Ai bëri të ditur se në fazat e ardhshme do të ketë diskutime edhe me akterë të tjerë për modelet dhe propozimet që mund të shërbejnë në krijimin e këtij mekanizmi të ri të sigurisë.
“Pjesë e grupit punues janë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, duke filluar nga MPB-ja, Policia, AME dhe institucionet tjera që merren me siguri. Në vazhdimësi do të bisedojmë me të gjithë aktorët e tjerë, në mënyrë që të gjitha idetë, sugjerimet apo modelet që mund të inkorporohen në kuadër të xhandarmerisë së Republikës së Kosovës t’i kemi parasysh”, deklaroi Sveçla.
Ministri në detyrë nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes nëse xhandarmeria do të përballet me kufizime operative në veri të Kosovës.
Sipas tij, grupi punues tashmë ka nisur analizimin e bazës ligjore dhe organizative për themelimin e këtij institucioni.
“Grupi punues është duke punuar në analizimin e aspekteve ligjore, institucionale, organizative, financiare dhe operacionale të themelimit të xhandarmerisë si agjenci ekzekutive në kuadër të MPB-së, përmes një ligji të veçantë”, u shpreh ai.







