Shuplaka, shkop hekuri dhe sulm ndaj policëve – zbardhen detajet nga incidenti në Mitrovicë ku u arrestua një 35 vjeçar

Një incident i rëndë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm në Mitrovicë, ku një person ka sulmuar një qytetar dhe më pas edhe zyrtarët policorë që intervenuan në vendin e ngjarjes.
Sipas të dhënave nga burimet e Sinjalit, rreth orës 04:40 është raportuar për një rast kanosjeje në pompën e derivateve “G3”, në rrugën “Ulqini”, ku i dyshuari, N.B rreth 35-vjeçar, i cili ndodhej me një veturë të tipit BMW, dyshohet se e ka goditur me shuplakë një person në këtë lokacion.
Pas raportimit, njësitë policore kanë lokalizuar automjetin dhe e kanë ndaluar të dyshuarin. Gjatë kontrollit të veturës, policia ka gjetur një shkop hekuri të mbështjellë me gome, të gjatë rreth 50 centimetra, që dyshohet se përdorej për vetëmbrojtje apo sulm. Gjatë transportimit drejt stacionit policor, i dyshuari ka sulmuar me kokë një zyrtar policor, duke shkaktuar lëndime trupore.
Në konsultim me prokurorin e shtetit, ndaj të dyshuarit janë iniciuar dy raste penale: Lëndim i lehtë trupor, Sulm ndaj personit zyrtar Ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.








