Pushteti e kap inspektoratin, aktivistë të VV-së i prin aksionit që shtyu drejtorin në mbylljen e qumështores “Vita”

Mësymja drejt qumështores “Vita”, me 25 inspektorë, ia ka vënë në dritë pushtetit të Vetëvendosjes se e ka kapur edhe inspektoratin.
Të enjten spektaklit të inspektorëve po u printe këshilltarja politike e Armend Mujës, Majlinda Shabani, e cila nga automjeti drejtonte turmën e tyre, teksa refuzonte të prezantohej para mediave, teksa vetë e pranoi se “mediat mkan sos”.

Brenda qumështores “Vita” po inspektonin edhe të paktën dy ish-aktivistë e kandidat për asamblistë të Vetëvendosjes.
Njëri nga inspektorët që shihet duke dalë nga objekti i qumështores, ishte edhe Fitim Gashi, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje në Kaçanik.
Gashi shihej më parë në shumë aktivitete partiake që Vetëvendosje i organizonte në Kaçanik dhe përreth.


Ndërkaq, inspektorja Elma Krasniqi kishte kandiduar për Obiliq në zgjedhjet lokale, por pasi nuk arriti të bëhej asamblistë, VV-ja e ka bërë inspektore të punës.
Ajo ishte edhe asistente ekzekutive e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila është punësuar si inspektore në vitin 2024.


Me urdhër të ministrit të Bujqësisë, Armend Muja është kryer inspektimi paparalajmërim i qumështores “Vita” me ç’rast, pas kësaj nga drejtori i kompanisë është marrë edhe vendimi për mbylljen e saj.
Deri te kjo ka ardhur pasi prodhuesi ka ulur sasinë e pranimit të qumështit nga 1 korriku, teksa në stook ka thënë se ka më shumë se 2 milionë litra qumësht. Sasia e pranimit është ulur për shkak të mungesës së tregut.
Ndërkaq, drejtori gjeneral i qumështores “Vita”, Artan Spahia ka thënë se vendimi i Mujës është marrë enkas kundër qumështores Vita.
“Ne nuk jemi të Serbisë, ne jemi të Kosovës dhe ti je shkatërruesi i punës 27-vjeçare. Ne si bord morëm vendim që nuk do të pranojmë qumësht, ne sot e mbyllim fabrikën deri në njoftimin e radhës”, ka thënë Spahija.
“Ne nuk jemi kriminelë, ne nuk ikim, ne duam drejtësi. Kompania jonë është e vetme e certifikume në IHF-së, të cilat nuk besoj se i bëjnë ata në Bosnjë e Maqedoni që këta i duan më shumë”, ka thënë Spahija.
“Ministri është ai që po ju mbyll juve, shpresoj që të kthehemi pas shtatë ditësh, por ju them se nga sot qumështorja nuk punon”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se pushteti “po e do më shumë Serbinë, se neve”, për çka shtoi se kjo nuk do t’i ndalë asnjëherë.
“Ministri i cili më shumë e do Serbinë, më shumë sesa neve. Do më shumë me hy qumështi prej Serbisë, në Maqedoni e me u fut në Kosovë, sesa qumështi i “Vitës”. Ne nuk jemi kriminela, ne kemi me shku faqebardhë, edhe na nuk kemi me u dorëzu, këta munden me kry procedurën e vet, por ne juve nuk ju lëjmë”, tha ai.
Punëtorëve të qumështores “Vita”, Spahija iu premtoi se kompania nuk do t’i lë pas dore, duke iu dhënë fjalën se paga e tyre do të dalë.
“Ne kemi prodhime tjera, ne kemi me vazhdu, nuk munden me na ndalë. Nuk ka mujt as Serbia me na ndal. Ju mos keni merak, rrogat ja’u qesim, dhe ne nuk dorëzohemi”, tha drejtori i ‘Vita-s’ në Istog.








