Qeverisja Peci zgjedh Bordin e Drejtorëve të Stacionit të Autobusëve me procedurë të përshpejtuar pa asnjë arsye, vendimi shoqërohet me gabime logjike

Komisioni Komunal i Aksionarëve i Ndërmarrjes Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve” Sh.A. në Mitrovicë ka emëruar Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje, përmes një procedure të përshpejtuar, vendim i cili tashmë është shoqëruar me një sërë gabimesh në përpilimin e tij, njofton Mitropol.
Sipas vendimit të datës 6 korrik 2026, Komisioni ka emëruar në bordin e përkohshëm Ilir Parduzin, Xhevrie Ademi Bahtirin, Mexhit Musën dhe Xhavit Hasanin. Megjithatë, në vetë titullin e vendimit thuhet se po emërohen tre anëtarë, ndërsa në përmbajtje figurojnë katër emra, çka përbën një mospërputhje logjike në dokumentin zyrtar.

Bordi i Perkohshëm i Drejtorëve nga paragrafi 1 i dispozitivit te këtij Vendimi ka mandat deri në zgjedhjen e Bordit te Drejorëve me mandat të plotë, por jo më tepër se 6 muaj.
Komisioni Komunal i Aksionarëve përbëhet nga drejtori i Faton Pecit, Mujë Igrishta, kryetar i Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Erseka Barani, anëtare po ashtu nga Vetëvendosje dhe Artan Berisha nga PDK.
Mitropol mëson nga burimet e veta se Artan Berisha nga PDK ka votuar kundër këtij vendimi, mirëpo kjo nuk është pasqyruar askund në dokumentin zyrtar.
Vendimi i tillë jep përshtypjen se është miratuar njëzëri nga Komisioni, ndonëse Berisha ka shprehur kundërshtimin e tij gjatë mbledhjes dhe ka votuar kundër përbërjes së propozuar të bordit.
Dokumenti mes tjerash përmban edhe pasaktësi të tjera juridike dhe teknike. Njëra prej tyre lidhet me emërtimin e ndërmarrjes, pasi në vendim përdoret termi “Ndërmarrje Publike Komunale”, ndërsa, ligji përcakton termin “Ndërmarrje Publike Lokale (NPL)”.
Një tjetër çështje serioze lidhet me arsyetimin e përdorur për procedurën e përshpejtuar. Në arsyetim thuhet se emërimi është bërë me procedurë të përshpejtuar për shkak të skadimit të mandatit të bordit dhe nevojës për vazhdimësinë e funksionimit të ndërmarrjes.
Megjithatë, duhet theksuar se Komisioni Komunal i Aksionarëve është zgjedhur nga Kuvendi Komunal më 30 janar 2026 dhe deri në mbledhjen e 6 korrikut ka pasur më shumë se pesë muaj kohë për të zhvilluar procedurat e rregullta të konkursit, bazuar në kriteret ligjore.
Vendimi që ka siguruar “Mitropol” nuk ofron ndonjë arsye konkrete që do ta justifikonte përdorimin e procedurës së përshpejtuar, ndërsa mungesa e këtij arsyetimi duket se përbën një tjetër mangësi në dokumentin zyrtar.
Mitropol do të publikojë edhe qëndrimin e Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe të Komisionit Komunal të Aksionarëve, nëse ata vendosin të reagojnë lidhur me këtë vendim.








