Medi
02KOSOVËLAJME

Hodges: Ngërçi politik e bën Kosovën më të cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme, prania amerikane është e rëndësishme

Kosova mbetet e cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme për aq kohë sa nuk arrin të dalë nga ngërçi politik dhe të ndërtojë institucione të qëndrueshme, vlerëson ish-komandanti i Ushtrisë amerikane në Evropë, Ben Hodges.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se Rusia nuk ka interes ta shohë Kosovën si një shtet të fortë e të integruar në strukturat euroatlantike, ndërsa thekson se prania e KFOR-it mbetet një “spirancë e stabilitetit”.

Active 1

Hodges flet edhe për transformimin e synuar të NATO-s pas samitit në Ankara, rritjen e rolit të Evropës në mbrojtje, kërcënimet hibride nga Rusia dhe mënyrën se si inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e reja do ta ndryshojnë përgatitjen e Aleancës për konfliktet e së ardhmes.

Hodges ka thënë se është i bindur që NATO do të vazhdojë të punojë edhe me shtete të vogla si Kosova për të gjetur mënyra për integrim më të mirë. Ai ka thënë se s’është e pëlqyeshme që gjithçka të mbështetet në kapacitetet e SHBA-së.

Nuk është e dëshirueshme që gjithçka të mbështetet vetëm në kapacitetet e Shteteve të Bashkuara. Pikërisht për këtë ka paralajmëruar prej kohësh presidenti [i Francës, Emmanuel] Macron, duke theksuar rrezikun e mbështetjes së tepërt te SHBA-ja. Sepse,nëse krijohet një situatë ku administrata amerikane nuk perceptohet si plotësisht e besueshme, ose nëse çdo gjë trajtohet vetëm si një transaksion, atëherë pjesa tjetër e Aleancës bëhet më e cenueshme”, ka thënë Hodges.

Sa i përket mospërmendjes së rajonit në deklaratën përmbyllëse të Samitit të mbajtur në Ankara, Hodges ka thënë se situata është sfiduese në shumë dimensione dhe se nuk e di ku saktësisht është Ballkani Perëndimor në listën e prioriteteve të Aleancës.

Ai nuk i ka dhënë ndonjë rëndësi mospërmendjes së rajonit në Samit, duke thënë se ai i radhës që do të mbahet në Tiranë është mundësi e mirë për rikthimin e rajonit në agjendë.

“Megjithatë, nuk do t’i jepja ndonjë kuptim të veçantë faktit që Ballkani Perëndimor nuk u përmend në deklaratën e publikuar pas samitit. Në fund të fundit, samiti përbëhej nga një darkë, një takim i përbashkët dhe disa bisedime dypalëshe që u zhvilluan paralelisht.Samitin e ardhshëm pritet ta organizojë Shqipëria. Tani ekziston një ide që vitin e ardhshëm të mos mbahet, kështu që, nëse kjo ndodh, Shqipëria do të ishte mikpritëse në vitin 2028.Kjo do të ishte një mundësi për ta kthyer vëmendjen te Ballkani, ashtu siç organizimi i samitit nga Turqia ndihmoi që fokusi të vihej te Deti i Zi dhe te roli i Turqisë”, ka thënë Hodges.

Duke folur për krizën politike në Kosovë dhe për ndikimin që kjo situatë mund të ketë në aspektin e sigurisë, Hodges ka thënë se si pasojë e zhvillimeve të tilla Kosova mbetet e cënueshme ndaj ndikimeve të jashtme.

Ish-gjenerali amerikan ka thënë se Rusia s’ka asnjë interes që Kosova të bëhet shtet i konsoliduar dhe për aq kohë sa Kosova mbetet në vendnumërim, do të jetë e ekspozuar ndaj shteteve që duan destabilizim.

“Natyrisht, një situatë e tillë e mban Kosovën të cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme. Rusia nuk ka asnjë interes që Kosova të bëhet një shtet i fortë, liberal-demokratik, i integruar në Bashkimin Evropian, në NATO apo në struktura të ngjashme. Prandaj, për sa kohë që Kosova nuk arrin ta zgjidhë këtë situatë, ajo do të mbetet e pambrojtur ndaj atyre që synojnë ta ruajnë status quo-në dhe të vazhdojnë ta destabilizojnë vendin”, ka thënë Hodges.

Sa i përket misionit të KFOR-it në Kosovë dhe nëse mund të pritet ndonjë ndryshim në të, Hodges ka thënë se shpreson që KFOR-i të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë.

“Nuk e di. Unë shpresoj që misioni i KFOR-it të vazhdojë. Mendoj se ta kam përmendur edhe në një bisedë të mëparshme që kemi pasur: njëherë, një zyrtar i lartë i Kosovës dhe një zyrtar i lartë i Serbisë më thanë të njëjtën gjë: ‘Ju lutem, mos e tërhiqni KFOR-in, sepse ai është e vetmja spirancë e stabilitetit’”, ka treguar Hodges.

“Kjo ka ndodhur disa vite më parë, por ajo bisedë më ka mbetur në mendje. Tregon se nuk është e nevojshme të ketë një numër të madh trupash në terren; vetë prania e KFOR-it shërben si një pikë stabiliteti”, shton ai.

Duke folur për rëndësinë e pranisë amerikane në Kosovë, Hodges ka thënë se është e rëndësishme meqë është edhe në interes të SHBA-së që Evropa të jetë e sigurt.

“Vetëm kështu ajo mund të jetë edhe e begatë, pasi Evropa është partneri më i madh tregtar i Amerikës. Prandaj, paqëndrueshmëria në Ballkanin Perëndimor kontribuon në paqëndrueshmërinë edhe në pjesë të tjera të Evropës dhe krijon dobësi që Rusia do të përpiqet t’i shfrytëzojë. Kështu do ta formuloja unë rëndësinë e pranisë amerikane në Kosovë”, ka shtuar ish-ushtaraku amerikan.

Në fund, Hodges duke folur për atë se çfarë mund të bëjë Kosova për t’u bërë një partnere e besueshme, ka thënë se Prishtina zyrtare duhet të vazhdojë të punojë për përmbushjen e kushteve që kërkohen për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ky është drejtimi ku duhet të ecë. Mendoj se kjo do ta plotësonte edhe synimin për ta bërë Kosovën një partnere më të vlefshme për NATO-n, nëse kjo është në interesin e saj”, ka potencuar ai.

Premium Store