Policia në veri arreston një 25 vjeçar të dyshuar për 10 vepra penale, dyshohet edhe për vrasje

Me datë 20.07.2026, Policia në Veri ka arrestuar personin e dyshuar me inicialet M.P. (2001), i cili dyshohet se më 10.07.2026 ishte i përfshirë në dy raste të iniciuara në Stacionin Policor Mitrovicë Veri për veprën penale “Dëmtim apo asgjësim i pronës”.
Bazuar në hetimet e zhvilluara, i njëjti dyshohet se ka dëmtuar dy automjete duke i goditur me gurë.
Policia ka ndërmarrë veprime operative në terren për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit. Më 14.07.2026 ai kishte arritur t’i shmangej arrestimit. Pas kërkimeve intensive dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, më 20.07.2026 është bërë e mundur lokalizimi dhe arrestimi i tij në qytetin e Mitrovicës së Veriut.
Gjatë arrestimit, i dyshuari ka tentuar sërish t’i shmanget arrestimit, por zyrtarët policorë kanë arritur ta neutralizojnë dhe arrestojnë.
Gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari ka pranuar se ka dëmtuar automjetet në fjalë.
Personi i arrestuar kishte gjithashtu një urdhërarrest aktiv të lëshuar nga gjykata për veprën penale “Kanosje”.
Po ashtu, në sistemin policor ai figuron si i dyshuar edhe në 10 raste të tjera penale, përfshirë veprat: “Vrasje”, “Nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit”, “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të cilat janë në procedurë pranë organeve të drejtësisë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe arrestimin e personave që kryejnë vepra penale, si dhe në sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë.








