Medi
KOSOVËLAJME

Lushtaku: Prej 13 vitesh po përsekutohem nga drejtësia e EULEX-it, kam kërkuar vetëm drejtësi

Ka nisur gjykimi ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve për frikësim të dëshmitarëve.

Prokurorja Florije Salihu Shamolli në fjalën e saj përfundimtare ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë, për veprat penale të cilat ngarkohen.

Aquapark 2

Prokuroria pretendon se ata, si grup kriminal, kanë kryer veprat penale: “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare” dhe “Frikësim gjatë procedurës zyrtare”, nga qershori i 2013-tës deri në shtator të 2015-s, duke i detyruar dy dëshmitarë që t’i ndryshojnë dëshmitë e tyre në rastin “Drenica”.

Akuzat në rastin “Drenica” lidhen me keqtrajtim të civilëve në Likoc gjatë luftës. Për të tashmë janë dënuar disa persona.

Që të gjithë në seancat e mëhershme janë deklaruar të pafajshëm.

I akuzuari Sami Lushtaku, në fjalën përfundimtare para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka deklaruar se prej 13 vitesh po përballet me procese gjyqësore nga drejtësia e EULEX-it, duke insistuar se është i pafajshëm dhe se ndaj tij nuk ka prova dhe argumente, raporton Ekonomia Online.

Lushtaku ka thënë se më herët ishte dënuar për krime lufte me 12 vjet burgim, ndërsa kishte mbajtur katër vjet burg dhe më pas ishte shpallur i pafajshëm.

“Unë që 13 vite përsekutohem nga drejtësia e EULEX-it pa argumente dhe pa fakte. Gjykimi im ka ndodhur për krime lufte, që kam marrë një dënim prej 12 vjetësh dhe kam mbajtur 4 vjet burg dhe jam shpallur i pafajshëm. E di që kjo aktakuzë ju ka mvesh kësaj gjykate si dëshmi e hekurt nga EULEX-i, që ka pasur qëllim, se këtu nuk ka bazë juridike që unë të akuzohem për diçka që nuk kam pasur lidhje”, tha ai.

Ai ka mohuar se dëshmitarët e përmendur në rast kanë qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë ndaj tij, duke thënë se disa nga të akuzuarit nuk i ka njohur fare.

“As dëshmitari F as C nuk kanë qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë ndaj meje. Një pjesë të këtyre të akuzuarve unë nuk i kam njohur asnjëherë. Sheremetin e kam vendas, por asnjëherë nuk e kam njohur. Prandaj, për mua është e rëndësishme që unë e ndiej veten të pafajshëm dhe e ndiej veten që 13 vite i penalizuar dhe i përndjekur nga gjykatat e EULEX-it”, tha Lushtaku.

Lushtaku ka deklaruar se asnjëherë nuk ka kërkuar mëshirë, por vetëm drejtësi.

“Unë asnjëherë nuk kam kërkuar mëshirë, kam kërkuar gjithmonë vetëm drejtësi, edhe këtë rast kërkoj vetëm drejtësi”, tha ai.

Premium Store