Dyshimet për varrezë masive në Zubin Potok, Gara: Detajet pas përfundimit të ekzaminimeve

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka thënë për Klankosova.tv se ende nuk mund të japë hollësi për rastin e fundit, duke theksuar se procesi është në zhvillim dhe se duhet të përfundojnë të gjitha procedurat.
“Është ende herët për me ndarë hollësitë, ta them përkundër interesimit. Megjithatë, kësaj radhe ose në këtë moment janë dy fjali që mund t’i ndaj”, deklaroi ai për Klankosova.tv.
Gara bëri të ditur se kjo zonë ka pasur vazhdimisht vëmendjen dhe prioritetin e institucioneve, duke falënderuar ekipet e përfshira për angazhimin e tyre.
“Si zonë, si lokacion, kjo hapësirë gjithmonë gjatë këtyre viteve ka pasur vëmendjen dhe prioritetin e duhur”, ka thënë Gara, duke shtuar se puna institucionale synon zbardhjen e rasteve të personave të zhdukur.
Sipas tij, prioritet mbetet respektimi i të drejtës së familjarëve për të mësuar fatin dhe vendndodhjen e të afërmve të tyre.
“Është e drejta për ta ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre”, u shpreh ai.
Ai ka bërë të ditur se para çdo njoftimi publik do të pritet përfundimi i procesit të zhvarrimit dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore.
“Sigurisht që do të presim përfundimin e të gjitha ekzaminimeve, procesin e zhvarrimit dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore. Çdo informacion që mund të ndahet, fillimisht do të ndahet me familjarët e personave të zhdukur, të cilët janë në qendër të këtij procesi, e më pas edhe me opinionin publik”, ka përfunduar Gara.
Dyshohet se në këtë lokacion mund të jenë mbetjet mortore të grupit të njohur si “intelektualët nga Mitrovica”, të cilët rezultojnë të zhdukur më 19 prill 1999, por kjo mbetet të konfirmohet në vazhdim.








