Aquapark 1
KOSOVËLAJME

355 delegatët e LDK-së vendosin sot për fatin politik të Lumir Abdixhikut

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku 355 delegatët e partisë do të vendosin me votë nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë ta udhëheqë partinë apo do të shkarkohet nga posti i kryetarit.

Kuvendi është thirrur pasi u përmbushën procedurat statutare dhe u verifikua kërkesa e delegatëve për mbajtjen e tij. Sipas LDK-së, Sekretariati i Përgjithshëm ka konstatuar se janë plotësuar kushtet statutare, pasi kërkesa është mbështetur nga të paktën një e treta e delegatëve të Kuvendit.

Aurora Group

“Nga ky proces është konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës (1/3) të delegatëve të Kuvendit, të nevojshëm për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm”, thuhej në njoftimin e partisë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vendosi që Kuvendi i Jashtëzakonshëm të mbahet më 30 korrik, me fillim nga ora 18:00.

“Kryetari i LDK-së, në ushtrim të kompetencave dhe detyrimeve të përcaktuara me Statutin e partisë, ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas përfundimit të procedurave statutare të verifikimit të kërkesës së paraqitur nga delegatët e Kuvendit”, thuhet në njoftim.

Nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit u dorëzuan në mesin e muajit korrik, ndërsa Abdixhiku, pas nisjes së këtij procesi, pezulloi negociatat për formimin e institucioneve deri në përfundimin e votëbesimit ndaj tij.

Në rast se Abdixhiku e fiton besimin e delegatëve dhe mbetet në krye të LDK-së, ai pritet t’u rikthehet negociatave për formimin e institucioneve, duke pasur parasysh se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është caktuar për 6 gusht.

Partia ka theksuar se i gjithë procesi do të zhvillohet në përputhje me Statutin, parimet demokratike, transparencën institucionale dhe respektimin e vullnetit të delegatëve

Aquapark 2