Prokuroria i jep leksion juridik Fitore Pacollit – hudhet poshtë kallëzimi penal ndaj Hisen Berishës

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë kallëzimin penal e paraqitur ndaj ish-deputetit Hisen Berisha, duke vlerësuar se deklaratat e tij publike në një emision televiziv nuk përmbushin elementet e veprës penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”
Sipas aktvendimit të siguruar nga Sinjali, kallëzimi ishte paraqitur më 2 qershor 2026 nga Fitore Pacolli Dalipi, pas deklaratave të Berishës në emisionin “Kosova Live” në T7, ku ai kishte pretenduar se ajo “e ka shtyrë nga ballkoni dhe e ka vrarë Arbnor Deharin”.
Pas shqyrtimit të kallëzimit dhe provave të bashkëngjitura, Prokurori i Shtetit ka konstatuar se deklarata nuk ishte bërë para Policisë, Prokurorisë apo ndonjë organi tjetër kompetent për ndjekje penale, por në një emision televiziv, prandaj nuk mund të konsiderohet lajmërim apo kallëzim i rremë në kuptim të nenit 382 të Kodit Penal.
Në arsyetim thuhet se, edhe nëse deklaratat do të vlerësoheshin si të pavërteta ose dëmtuese për reputacionin e një personi, ato mund të ngrejnë çështje të mbrojtjes civile të reputacionit, por jo përgjegjësi penale për veprën e kallëzimit të rremë.
Prokuroria i është referuar edhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se deklaratat publike të bëra në media duhet të trajtohen në kontekstin e balancimit ndërmjet lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së reputacionit, e jo si kallëzim penal i rremë
Për këto arsye, më 10 qershor 2026, Prokuroria ka vendosur ta hedhë kallëzimin penal ndaj Hysen Berishës për mungesë të dyshimit të arsyeshëm se është kryer vepra penale e pretenduar.









