
Bajram Gecaj, zyrtari i lartë i LDK-së që ishte publikisht kundër Lumir Abdixhikut, iu ka kërkuar falje nga zemra votuesve, anëtarëve dhe aktivistëve të LDK-së.
“JU KËRKOJ FALJE NGA ZEMRA …
… të gjithë votuesve, anëtarëve dhe aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës që mund të jenë ndier të lënduar nga paraqitjet, qëndrimet apo fjalët e mia të kohëve të fundit. Ua kërkoj faljen pa kushte, pavarësisht nëse pajtohemi ose jo për arsyet që më kanë shtyrë të flisja publikisht. Për besën e Zotit, çdo fjalë që kam thënë dhe çdo rresht që kam shkruar e kam besuar nga thellësia e shpirtit. Nuk kam vepruar për interesa personale, për poste apo për përfitime politike. Kam reaguar nga bindja se LDK-ja duhej të hapej, të reformohej dhe të rikthehej fuqishëm si alternativa kryesore politike dhe shtetformuese në Kosovë. Mund të kem qenë i ashpër në fjalë, por asnjëherë i pandershëm në qëllim. LDK-ja është më e madhe se secili prej nesh. Prandaj, sot, para çdo dallimi, vendos respektin për anëtarësinë, për historinë tonë dhe për njerëzit që e kanë mbajtur këtë parti gjallë në ditët më të vështira.
Falja ime është e sinqertë. Bindjet e mia mbeten të njëjta, por përgjegjësinë për çdo fjalë që ka lënduar dikë e marr plotësisht mbi vete”, shkruan Gecaj në reagim.








